
Një rast i posedimit të paautorizuar të armës është raportuar më 10 tetor në fshatin Ceraj të Leposaviqit, pasi Policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri pranë varrezave.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 10:35, njësia patrulluese dhe hetuesit kanë dalë në lokacion, por fillimisht nuk kanë hasur ndonjë person apo provë të dyshimtë.
Sipas informatave të pranuara, në zonë ishte parë një VW Golf i kaltër me targa vendore.
Pas verifikimeve, Policia ka kontaktuar pronarin e automjetit, Luan Musa, i cili ka konfirmuar se kishte qenë në lokacionin e përmendur.
Gjatë kontaktit me policinë, ai ka deklaruar se posedonte një armë dhe më pas ka dorëzuar vullnetarisht një pushkë gjysmë-automatike të prodhimit kinez, së bashku me 10 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Arma dhe municioni janë marrë nga Policia për procedurat e mëtejshme.
Rasti po trajtohet për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ekskluzive | Të shtëna pranë varrezave në Leposaviq – Policia identifikon pronarin e Golfit, dorëzon vullnetarisht pushkën appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali