Tragjedi në Prizren, raportohet se një 26-vjeçare ndërroi jetë pasi iu përkeqësua gjendja gjatë intervistimit nga hetuesit e anti-drogës

Tragjedi në Prizren, raportohet se një 26-vjeçare ndërroi jetë pasi iu përkeqësua gjendja gjatë intervistimit nga hetuesit e anti-drogës

Written by

in

Tragjedi në Prizren, raportohet se një 26-vjeçare ndërroi jetë pasi iu përkeqësua gjendja gjatë intervistimit nga hetuesit e anti-drogës

Një 26-vjeçare ka vdekur në orët e para të së hënës në Prizren, pasi gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar derisa po intervistohej nga hetuesit e njësisë për hetimin e trafikimit me narkotikë.

Sipas raportimeve, e reja ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë intervistimit nga zyrtarët e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN).

Pas përkeqësimit të gjendjes së saj, është kërkuar ndihma e ekipit emergjent, i cili i ka ofruar trajtimin fillestar mjekësor. Më pas, 26-vjeçarja është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, por ka ndërruar jetë pak minuta pas mbërritjes.

Gazeta Sinjali, duke iu referuar burimeve të saj, ka raportuar se viktima ishte B.H., 26-vjeçare, ndërsa Policia është njoftuar për vdekjen e saj rreth orës 01:30.

Pas rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë, njësitë rajonale të hetimeve dhe zyrtarët e kriminalistikës, të cilët kanë kryer veprimet fillestare për dokumentimin e ngjarjes.

Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

Shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar. Hetimet pritet të sqarojnë rrethanat në të cilat 26-vjeçares iu përkeqësua gjendja shëndetësore dhe më pas ndërroi jetë.

Burimi: Insajderi