Qeveria miraton shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike për dy muaj

Qeveria miraton shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike për dy muaj

Written by

in

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike, për një periudhë dy mujore.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se zhvillimet gjeopolitike gjatë këtij viti, veçanërisht konflikti në Iran dhe kufizimet në transportin e burimeve energjetike përmes Ngushticës së Hormuzit, kanë ndikuar në tregjet e gazit dhe të energjisë elektrike në Evropë, përfshirë edhe rajonin dhe Kosovën.

Kurti ka theksuar se situata në vend vështirësohet edhe për shkak të kapaciteteve të kufizuara vendore të prodhimit dhe bllokimit të linjave të transmetimit të energjisë elektrike nga ana e Serbisë.

“Zhvillimet gjeopolitike të këtij viti, përfshirë veçanërisht konfliktin në Iran dhe kufizimin e transportit të burimeve energjetike përmes Ngushticës së Hormuzit, kanë tronditur tregjet e gazit dhe të energjisë elektrike në Evropë, përfshirë rajonin tonë dhe vendin tonë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se Ministria e Ekonomisë ka propozuar shpalljen e masave emergjente për një periudhë dy mujore, me qëllim të përballimit të sfidave në furnizimin me energji.

Sipas Kurtit, këto masa përfshijnë shfrytëzimin e kapaciteteve ekzistuese prodhuese, përfshirë hidrocentralin e Ujmanit, për furnizimin e konsumatorëve të shërbimit universal.

Po ashtu, parashihet ndërmarrja e masave për kursimin e energjisë elektrike nga institucionet publike, si dhe zbatimi i masave të tjera që Qeveria mund t’i ndërmarrë në varësi të nevojës.

Kryeministri ka theksuar se synimi i këtyre masave është shfrytëzimi sa më efikas i kapaciteteve ekzistuese dhe sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

“Qëllimi ynë është që t’i shfrytëzojmë në mënyrë sa më efikase kapacitetet ekzistuese dhe të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm për qytetarët dhe ekonominë tonë”, ka deklaruar Kurti. /Telegrafi/