Kurti paralajmëron rishikimin e marrëveshjes së energjisë me Serbinë

Kurti paralajmëron rishikimin e marrëveshjes së energjisë me Serbinë

Written by

in

Përmes një vendimi të Qeverisë, Kosova ka ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me ndërmarrjet e regjistruara në Serbi dhe ato që kanë pronarë shtetas serbë. Nga kjo masë është përjashtuar furnizuesi i themeluar në kuadër të marrëveshjes së Brukselit për energjinë.

Kurti ka bërë të ditur se ky përjashtim nuk do të jetë domosdoshmërisht i përhershëm, pasi në rast të vazhdimit të bllokadës, Qeveria mund të shqyrtojë edhe prekjen e drejtpërdrejtë të zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

“Ministria e Ekonomisë obligohet që ta përcjellë situatën dhe, nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e Beogradit zyrtar, në të ardhmen do të konsiderojmë përshkallëzimin e masave, duke përfshirë edhe masa që do të mund të prekin furnizuesin e marrëveshjes me Brukselin, si dhe rishqyrtimin e tërësishëm të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për energjinë”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka argumentuar se pengesat në transitin e energjisë kanë shkaktuar pasoja të rënda për sistemin energjetik të Kosovës, duke rritur varësinë nga linjat e ndërlidhjes me vendet e tjera dhe duke ndikuar në çmimet e energjisë elektrike.

Sipas tij, mbingarkesa e linjave me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut ka sjellë rritje të jashtëzakonshme të çmimeve, ndërsa më 14 dhe 20 janar të këtij viti mungesa e mundësive për sigurimin e energjisë kishte detyruar KOSTT-in të aplikonte reduktime.

Kurti ka theksuar se Kosova ka kërkuar mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe ushtrimin e presionit ndaj Serbisë.

Ai ka rikujtuar se Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë, në dhjetor të vitit të kaluar, kishte konstatuar shkeljen e Traktatit të Komunitetit të Energjisë nga Serbia dhe kishte kërkuar që linjat e transitit të liroheshin deri më 1 korrik të këtij viti.

Megjithatë, sipas Kurtit, Serbia nuk e ka zbatuar këtë kërkesë edhe pas kalimit të afatit prej katër muajsh e gjysmë.

As ndërmjetësimi i kërkuar nga Bashkimi Evropian nuk ka prodhuar rezultat konkret deri më tani, ka bërë të ditur kryeministri.

Burimi: RTKLive