
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë nga Serbia, duke e cilësuar këtë vendim si të vonuar për shtatë vjet.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, duke rikujtuar kundërshtimin e projekteve energjetike, përfshirë termocentralin me ContourGlobal, projektin e gazit amerikan përmes MCC-së dhe gazin e lëngshëm amerikan.
Sipas saj, gjatë këtyre shtatë viteve kanë përfituar tregtarët e energjisë, ndërsa qytetarët kanë paguar pasojat e kësaj gjendjeje.
“Shtatë vjet kanë përfitu tregtarët e energjisë. E me gjasë, jo veç ata, por edhe këta që e kanë leju këtë gjendje”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka ironizuar edhe me mënyrën se si Qeveria po e paraqet vendimin e fundit, duke kërkuar transparencë për përfitimet nga tregtia e energjisë.
“Tash me këtë vendim na shiten si patriotë të kësaj dekade. Po hajde, tregojuni qytetarëve ku kanë përfundu paratë e tyre: në fitime të majme për tregtarët e energjisë, për manipuluesit e tregut dhe ata që e kanë leju këtë gjendje”, ka deklaruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së e ka nisur reagimin e saj me fjalët: “Shtatë vjet me vonesë!”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali