
Kosova ka kaluar një tjetër 24-orësh të ngarkuar me ngjarje të rënda, raste të dhunës në familje, arrestime, vjedhje dhe zhvillime tragjike.
Vdes 26-vjeçarja në Prizren pasi iu përkeqësua gjendja gjatë përgatitjeve për intervistim nga antidroga
Një nga ngjarjet më të rënda është raportuar në Prizren, ku 26-vjeçarja Blerta Hyseni ka ndërruar jetë pasi iu përkeqësua gjendja shëndetësore gjatë përgatitjeve për intervistim nga hetuesit e antidrogës. E reja ishte ndaluar në kuadër të një operacioni ku në një veturë në Vërmicë u sekuestruan mbi 105 gramë substancë e dyshuar kokainë. Shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar dhe rasti po hetohet.
E rëndë në Ferizaj: 14-vjeçari dyshohet se rrahu gjyshen 73-vjeçare
Ndërkohë, në Ferizaj është raportuar një rast i rëndë i dhunës në familje, ku një 14-vjeçar dyshohet se ka sulmuar gjyshen e tij 73-vjeçare, duke e goditur disa herë me shqelma. I mituri është ndaluar për 24 orë me vendim të Prokurorisë për të Mitur.
E akuzonte për tradhti dhe e sulmoi fizikisht – 30-vjeçari në Ferizaj ndalohet pas dhunës ndaj bashkëshortes
Po në Ferizaj, një 30-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij 26-vjeçare, duke e kapur për qafe dhe goditur me shuplakë, pas akuzave të vazhdueshme për tradhti. I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Dyshohet se sulmoi me thikë babanë 62-vjeçar, 22-vjeçarit në Obiliq i caktohet një muaj paraburgim
Në Obiliq, një 22-vjeçar dyshohet se ka sulmuar me thikë babanë e tij 62-vjeçar. Pas ndalimit fillestar, Gjykata ka caktuar ndaj tij një muaj paraburgim.
Kamerat zbulojnë edhe tri vjedhje të tjera, dy persona arrestohen në Fushë Kosovë
Ndërsa në Fushë Kosovë, dy persona janë arrestuar pas një serie vjedhjesh në markete. Fillimisht dyshoheshin për vjedhjen e produkteve ushqimore në vlerë prej 47 eurosh në marketin “Viva FLY”, por pamjet e kamerave zbuluan edhe tri raste të tjera, me vlerë të përgjithshme rreth 200 euro. Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Nuk e pagoi gjobën prej 200 eurosh, 47-vjeçari përfundon në burg pas arrestimit në Han të Elezit
Në një tjetër rast, një 47-vjeçar është arrestuar në pikën kufitare në Han të Elezit, pasi nuk kishte paguar një gjobë prej 200 eurosh. Gjoba ishte zëvendësuar me dënim me burgim prej 10 ditësh, të cilin ai do ta vuajë në institucionin korrektues.
Në strehimore me dy fëmijët, 30-vjeçarja në Klinë denoncon sërish bashkëshortin
Ndërkohë, në Klinë, një grua 30-vjeçare, e cila po qëndron në strehimore me dy fëmijët e saj, ka denoncuar sërish bashkëshortin. Ajo ka raportuar se ai po e shqetësonte përmes shoqes së saj në Facebook, pavarësisht urdhrit mbrojtës gjyqësor që ekziston ndaj tij. Rasti është iniciuar për mospërfillje të urdhrit të gjykatës.
Këto janë disa nga ngjarjet që kanë shënuar 24 orët e fundit në vend, të cilat Gazeta Sinjali i ka përcjellë përmes raportimeve të saj.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali