AKK i kundërpërgjigjet SBASHK-ut: Komunat nuk do të paguajnë faturën e kontratave kolektive

AKK i kundërpërgjigjet SBASHK-ut: Komunat nuk do të paguajnë faturën e kontratave kolektive

Written by

in

AKK i kundërpërgjigjet SBASHK-ut: Komunat nuk do të paguajnë faturën e kontratave kolektive

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ndaj deklaratave të përfaqësuesve të SBASHK-ut, të cilët ua kanë atribuar komunave përgjegjësinë për pasojat financiare që kanë shkaktuar kontratat kolektive të nënshkruara në nivel qendror.

AKK-ja ka theksuar se kryetarët e komunave gjithmonë i kanë respektuar dhe mbështetur të drejtat e punëtorëve të arsimit, por ka shtuar se komunat nuk kanë kapacitete buxhetore për t’i mbuluar detyrimet financiare që dalin nga këto kontrata.

Sipas AKK-së, mbulimi i këtyre shpenzimeve nga buxhetet komunale do të dëmtonte investimet dhe shërbimet që u ofrohen qytetarëve.

Në reagim thuhet se SBASHK-u, gjatë negocimit dhe nënshkrimit të kontratave kolektive me Ministrinë e Arsimit, është dashur të kërkojë që financimi për zbatimin e tyre të sigurohej nga niveli qendror.

Bordi i AKK-së e konsideron të papranueshme që marrëveshjet të nënshkruhen në nivel qendror, ndërsa barra financiare t’u bartet komunave, të cilat nuk kanë qenë palë nënshkruese të tyre.

Po ashtu, AKK-ja ka thënë se SBASHK-u e ka ditur dhe e di se vendimmarrja për sigurimin e financimit dhe përcaktimin e vijave të posaçme buxhetore për zbatimin e kontratave bëhet në nivel qendror.

Sipas këtij asociacioni, komunat nuk mund t’i krijojnë vetë mjetet financiare të nevojshme për përmbushjen e këtyre detyrimeve.

Për këtë arsye, AKK-ja vlerëson se pretendimi se komunat është dashur vetëm t’i planifikonin këto shpenzime shpërfill mënyrën se si sigurohet dhe miratohet financimi.

Në reagim thuhet se, në vend që përgjegjësia t’u atribuohej komunave, SBASHK-u është dashur t’i drejtonte kërkesat për sigurimin e mjeteve financiare tek institucionet qendrore me të cilat i ka lidhur kontratat kolektive.

Gjithashtu, sipas AKK-së, SBASHK-u është dashur t’i udhëzonte dhe mbështeste punëtorët arsimorë që kërkesat për realizimin e të drejtave të tyre, përfshirë edhe ndjekjen e rrugëve ligjore, t’i orientonin drejt institucioneve përgjegjëse në nivel qendror.

AKK-ja ka paralajmëruar se pasojat financiare për buxhetet komunale deri më tani kanë qenë të rënda.

Aty thuhet se mjetet e destinuara për projekte dhe shërbime për qytetarët janë shpenzuar për detyrimet që dalin nga kontratat kolektive, si dhe për kostot shtesë të procedurave gjyqësore dhe përmbarimore.

Bordi i AKK-së ka bërë të ditur se qëndrimi i tij është i qartë dhe se komunat nuk janë të gatshme të bartin pasojat financiare të kontratave të reja kolektive.

Sipas tij, çdo kontratë e re duhet të shoqërohet me financim të plotë dhe të garantuar nga buxheti qendror, përmes një vije të veçantë buxhetore që do të sigurojë zbatimin e saj.

Në fund, AKK-ja ka theksuar se respektimi i të drejtave të punëtorëve arsimorë kërkon përgjegjësi edhe nga ata që negociojnë dhe nënshkruajnë zotime financiare.

Këto zotime, sipas saj, duhet ta kenë mbulimin financiar të garantuar dhe nuk mund të vazhdojnë të rëndojnë mbi buxhetet komunale dhe qytetarët.

Burimi: Insajderi