SINJALI 24 | Grabitje me thikë, armë e drogë, dhunë në familje dhe një 15-vjeçare e zhdukur – çfarë ndodhi gjatë 24 orëve

SINJALI 24 | Grabitje me thikë, armë e drogë, dhunë në familje dhe një 15-vjeçare e zhdukur – çfarë ndodhi gjatë 24 orëve

Written by

in

SINJALI 24 | Grabitje me thikë, armë e drogë, dhunë në familje dhe një 15-vjeçare e zhdukur – çfarë ndodhi gjatë 24 orëve

Nga grabitja e armatosur në Gjakovë, ku u morën mijëra euro, te incidentet me armë, narkotikë e dhunë në familje, 24 orët e fundit kanë sjellë një varg ngjarjesh që kanë mobilizuar Policinë në disa rajone të Kosovës.

Sinjali ju sjell përmbledhjen e rasteve kryesore të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.

15-vjeçarja nga Vushtrria raportohet e humbur

Një vajzë 15-vjeçare nga Vushtrria është raportuar e humbur pasi kishte dalë nga shtëpia rreth mesditës dhe nuk ishte kthyer. Familjarët dhe Policia kanë kërkuar në disa lokacione, ndërsa kjo rezulton të jetë hera e dytë që e mitura raportohet si person i humbur.

I maskuar dhe me thikë grabit filialin e “RIA”-s në Gjakovë

Një person i maskuar ka hyrë në filialin e “RIA”-s në rrugën “Anton Qeta” në Gjakovë dhe, nën kërcënimin e thikës, dyshohet se ka marrë deri në 8 mijë euro para të gatshme. I dyshuari është larguar në drejtim të panjohur dhe ende nuk është identifikuar.

Po pastronte armën e kushëririt, përfundon i plagosur

Në fshatin Caparc të Prizrenit, një i ri ka mbetur i plagosur në këmbë pasi pistoleta që po pastronte dyshohet se ka shkrepur aksidentalisht. Policia ka sekuestruar dy pistoleta, 27 fishekë, një gëzhojë dhe një predhë.

Armë, 18 fishekë dhe marihuanë në një veturë në Obiliq

Gjatë një kontrolli policor në zonën e Grabovcit është ndaluar një veturë, ku në një çantë janë gjetur një pistoletë Reximex, dy karikatorë, 18 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe marihuanë. I dyshuari ka deklaruar se arma i përket një familjari dhe është liruar në procedurë të rregullt.

Videoja në TikTok çon Policinë te një armë me leje të skaduar

Një grua është identifikuar pasi ishte shfaqur në TikTok duke shtënë me pistoletë drejt shisheve plastike në një zonë që dyshohet të jetë në Rugovë. Ajo ka pranuar përdorimin e armës, ndërsa pronari i saj e ka dorëzuar pistoletën, për të cilën leja kishte skaduar.

Droga s’ka të ndalur në Gjilan

Në rrugën Qarkore në Gjilan, hetuesit për narkotikë kanë ndaluar një 26-vjeçar, të cilit i është gjetur një sasi marihuane. Testi fushor ka rezultuar pozitiv, ndërsa rasti po procedohet në procedurë të rregullt.

Sherri për borxhin eskalon në Mitrovicë

Në Shupkofc të Mitrovicës, një mosmarrëveshje për borxh ka përfunduar në përleshje fizike. Njëri prej të dyshuarve dyshohet se ka përdorur sprej dhe më pas ka goditur viktimën me të në kokë. Ai është ndaluar për 48 orë.

Rrahje në parkingun e restorantit “Anita”

Dy persona janë përfshirë në një përleshje në parkingun e restorantit “Anita” në Zubin Potok. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa të dy palët kanë rezultuar nën ndikim të alkoolit.

Katër muaj pas ndarjes, gruaja denoncon ish-bashkëshortin

Në Leposaviq, një grua ka raportuar se ish-bashkëshorti vazhdonte ta shqetësonte duke shkuar në shtëpinë e saj dhe duke e kontaktuar në telefon. I dyshuari ka rezultuar me 1.43 promilë alkool dhe ndaj tij është caktuar masë mbrojtëse.

Dhuna në familje në Malishevë – motra dyshohet se sulmoi vëllain

Në Drenoc të Malishevës, një mosmarrëveshje mes motrës dhe vëllait ka përfunduar me lëndime në fytyrë. E dyshuara është ndaluar për 48 orë.

Gruaja në Prishtinë denoncon bashkëshortin pas kërkesës për para

Një grua ka deklaruar se bashkëshorti i saj i kishte kërkuar para për narkotikë dhe, pasi ajo kishte refuzuar, dyshohet se e kishte goditur. I dyshuari është larguar nga banesa dhe është vendosur në kërkim policor.

Gruaja në Gjakovë denoncon bashkëshortin dhe vjehrrin

Në Ramoc të Gjakovës, një grua ka deklaruar se keqtrajtohej psikikisht nga vjehrri, ndërsa bashkëshorti dyshohet se ia kishte mbyllur derën e oborrit dhe nuk e kishte lejuar të largohej. Të dy janë arrestuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

Vjedhje e rëndë në Zveçan

Në fshatin Joshevik, pronari i një shtëpie ka raportuar se i janë vjedhur 750 euro, dokumente të Kosovës dhe një letërnjoftim i Serbisë. Autorët ende nuk janë identifikuar.

Kapet në Aeroportin “Adem Jashari” personi që kërkohej për narkotikë

Një 27-vjeçar është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, pasi ndaj tij ishte aktive një urdhëresë gjyqësore lidhur me posedimin e paautorizuar të narkotikëve. Ai është ndaluar për 48 orë.

Nga dhuna në familje dhe përleshjet, te armët, narkotikët, grabitjet dhe personat e humbur, këto ishin disa nga ngjarjet që shënuan 24 orët e fundit në Kosovë.

SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post SINJALI 24 | Grabitje me thikë, armë e drogë, dhunë në familje dhe një 15-vjeçare e zhdukur – çfarë ndodhi gjatë 24 orëve appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali