“Në banesë nuk u gjet asgjë”, avokati i ish-ministrit të Kulturës tregon detaje nga arrestimi (VIDEO)

“Në banesë nuk u gjet asgjë”, avokati i ish-ministrit të Kulturës tregon detaje nga arrestimi (VIDEO)

Written by

in

“Në banesë nuk u gjet asgjë”, avokati i ish-ministrit të Kulturës tregon detaje nga arrestimi (VIDEO)

Avokati Korab Bokshi, mbrojtës i ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija, ka deklaruar se Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj klientit të tij, i cili është në mesin e gjashtë personave të arrestuar nën dyshimet për përfshirje në veprimtari që lidhen me narkotikët.

Bokshi ka folur në një lidhje direkte në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ku ka bërë të ditur se seanca dëgjimore është përfunduar, por gjykata ende nuk ka marrë vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë.

“Seanca është mbyllur. Dimë vetëm se Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, përfshirë edhe për Astrit Haraqinë. Jemi në pritje të vendimit, nuk ka ende një vendim të gjykatës”, ka deklaruar Bokshi, transmeton Klankosova.tv.

Ai ka thënë se në kërkesën e saj, Prokuroria pretendon se Haraqija dyshohet të jetë i përfshirë në një grup që merret me shitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve. Megjithatë, avokati ka shprehur kundërshtime për mënyrën se si janë paraqitur këto dyshime.

“Prokuroria në kërkesën e saj ka elaboruar se ekziston, sipas saj, dyshimi që Astrit Haraqija është i përfshirë në një lloj grupi që merret me shitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve. Në përshkrimin e Prokurorisë mungon lidhshmëria logjike. Në një pjesë thuhet se pretendohet që ministri Haraqija ka shërbyer si furnizues i grupit, ndërsa në një pjesë tjetër thuhet se ka kontaktuar për të siguruar narkotikë prej dikujt tjetër”, ka thënë ai.

Bokshi ka theksuar se rasti ndodhet në fazat e hershme të hetimeve dhe se, sipas tij, Prokuroria ka përmendur edhe prova të tjera që ende nuk janë dorëzuar në gjykatë.

“Prokuroria pretendon se ka prova të tjera, të cilat ende nuk i ka dorëzuar në gjykatë”, ka shtuar avokati.

Duke folur për arrestimin e ish-ministrit, Bokshi ka treguar se Haraqija është kontaktuar nga Policia përmes telefonit gjatë natës kur është zhvilluar aksioni dhe se më pas është paraqitur vullnetarisht.

Sipas tij, gjatë kontrollit në banesë, Haraqija ka bashkëpunuar me zyrtarët policorë dhe ka dorëzuar dy telefona së bashku me kodet e sigurisë.

“Natën kritike, Astrit Haraqija është kontaktuar nga Policia përmes telefonit dhe i njëjti është dorëzuar vullnetarisht. Gjatë kontrollit të banesës ka qenë shumë bashkëpunues me Policinë. Po ashtu, ka dorëzuar dy telefona së bashku me kodet e sigurisë. Asgjë nuk është gjetur në banesën e Haraqisë”, ka deklaruar avokati.

Më poshtë deklarimi i plotë i avokatit Bokshi: