Një çift në Virxhinia të SHBA-së është arrestuar pasi organizoi një festë në rezidencën e tyre luksoze, ku morën pjesë deri në 300 të mitur, disa prej të cilëve dyshohet se kishin konsumuar alkool.
Aubrey Vaughn, 55 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Lisa Vaughn, 45 vjeçe, akuzohen për kontribut në delinkuencën e të miturve dhe shkaktim të shqetësimit publik.
Festa ishte organizuar për djalin e tyre.
Policia ndërhyri pas ankesave të fqinjëve dhe gjeti dhjetëra adoleshentë, disa prej të cilëve dyshohej se ishin të dehur dhe po endeshin nëpër rrugët përreth.
Në pamjet e publikuara, Lisa Vaughn mohon praninë e alkoolit, ndërsa një polic i përgjigjet: “Mban erë të fortë alkooli. Kemi fëmijë të dehur që vrapojnë kudo”.
Pas arrestimit, Aubrey Vaughn deklaroi se festa kishte dalë jashtë kontrollit për shkak të të rinjve që kishin mbërritur pa ftesë.
“Donim që fëmijët tanë të ishin në shtëpinë tonë, në mënyrë që t’i mbikëqyrnim. Kjo mund t’i ndodhte kujtdo”, tha ai për Fox 5 DC.
Rezidenca ku u organizua festa vlerësohet rreth 3.2 milionë dollarë.
Çifti u lirua nga paraburgimi pasi pagoi garancinë prej 1 mijë dollarësh, ndërsa Vaughn kërkoi falje për situatën e krijuar, duke këmbëngulur se nuk kishte lejuar konsumimin e alkoolit në festë. /Telegrafi/