Tekstil, financa e gastronomi – Bizneset e të arrestuarve për kokainë në operacionin ‘Heshtja’

Tekstil, financa e gastronomi – Bizneset e të arrestuarve për kokainë në operacionin ‘Heshtja’

Written by

in

Tekstil, financa e gastronomi – Bizneset e të arrestuarve për kokainë në operacionin ‘Heshtja’

Personat e arrestuar në operacionin antidrogë “Heshtja”, në mesin e të cilëve ish-ministri i Drejtësisë, Astrit Haraqija, figurojnë të lidhur me disa biznese të regjistruara në Kosovë, që ushtrojnë veprimtari në sektorë të ndryshëm ekonomikë.

Gëzim Feka figuron bashkëpronar në kompaninë “FINANCE GROUP GG SH.P.K.”, së bashku me Gokay Yaman.

Nga të dhënat e disponueshme për këtë kompani, thuhet se është regjistruar në ARBK më 3 nëntor të vitit 2022.

Aktivitet kryesor ka hotelet dhe akomodimin, ndërsa në regjistër figurojnë edhe dy aktivitete të tjera: tregtia me shumicë e veshjeve dhe këpucëve, si dhe tregtia tjetër me pakicë në dyqane jo të specializuara

Ndërkaq, Astrit Haraqija figuron i lidhur me kompaninë “Klesta&Algas SH.P.K.”.

Sipas të dhënave të publikuara për këtë biznes, aktivitetet e kësaj kompanie përfshijnë restorantet dhe aktivitetet shërbyese lëvizëse të ushqimit si aktivitet kryesor, hotelet dhe akomodimi, qiradhënia dhe patundshmëria, aktivitetet e agjencive të udhëtimit, aktivitetet e tjera të argëtimit dhe rekreacionit, ndër të tjera.

Në emër të Jeton Stanovcit, i njohur me nofkën “Daja”, figuron biznesi D.P.T. Toni SH.P.K..

Sipas të dhënave të regjistrimit, aktivitet kryesor i kësaj ndërmarrjeje është tregtia me pakicë e tekstileve në dyqane të specializuara.

Si aktivitete sekondare dhe të tjera, biznesi ka të regjistruara edhe tregtinë me pakicë të mobilieve, pajisjeve të ndriçimit dhe artikujve të tjerë shtëpiakë, tregtinë me pakicë të mallrave të tjera të reja, si dhe tregtinë me pakicë të mallrave të përdorura.

Ndërsa Albana Xhemajli, e dyshuar në të njëjtin rast për rolin e saj në mbledhjen e parave nga shitja e narkotikëve, figuron e lidhur me biznesin LaBancho.

Aktivitet kryesor i këtij biznesi është tregtia me shumicë e artikujve të parfumerisë dhe kozmetikës dhe tregtia me pakicë e tekstileve në dyqane të specializuara.

Këto biznese rezultojnë të jenë në pronësi të disa nga personave të përfshirë në dosjen “Heshtja”, në të cilën Prokuroria përshkruan dyshimet për funksionimin e një rrjeti të furnizimit dhe shpërndarjes së kokainës.

Sipas dosjes së Prokurorisë që e ka siguruar Insajderi, Jeton Stanovci dyshohet se koordinonte aktivitetin e grupit, ndërsa Astrit Haraqija dhe persona të tjerë dyshohen për furnizimin me narkotikë. Gëzim Feka dhe të tjerët dyshohen për shpërndarjen e tyre, ndërsa Albana Xhemajli për mbledhjen e parave nga shitjet. /Insajderi.org/

Burimi: Insajderi