Drejtori ekzekutiv i SpaceX, Elon Musk, është parë në bazën e lëshimit Starbase në Teksas, duke inspektuar personalisht anijen kozmike Starship 42, një ditë pas përfundimit të suksesshëm të fluturimit të saj të 15-të testues.
Në një video të publikuar në X, Musk shihet së bashku me punonjës të SpaceX duke kontrolluar pllakat e mburojës termike të anijes, të cilat i mbijetuan temperaturave ekstreme gjatë rikthimit në atmosferën e Tokës.
“Starship 42 na sjell një sasi të jashtëzakonshme të dhënash për përmirësime të mëtejshme të mburojës termike”, deklaroi Musk, duke reaguar ndaj videos.
Ai u shpreh i kënaqur edhe me gjendjen e përgjithshme të anijes pas kthimit.
“Në përgjithësi, mburoja termike duket shumë mirë. Edhe motorët duken shumë mirë. Starship 42 ndoshta mund të fluturojë sërish brenda disa javësh, pas riparimeve dhe përgatitjeve të nevojshme”, tha Musk.
Megjithatë, ai pranoi se nevojiten ende shumë përmirësime të vogla për të arritur ripërdorimin e menjëhershëm të anijes, ngjashëm me aeroplanët, pa pasur nevojë për riparime ndërmjet fluturimeve.
Starship 42 realizoi një mision orbital prej rreth 22 orësh e 32 minutash, gjatë të cilit vendosi në orbitë 26 satelitë Starlink dhe kreu afërsisht 14 rrotullime rreth Tokës.
Më 14 nëntor, anija u kthye në Starbase, ku u kap për herë të parë nga krahët mekanikë të kullës së lëshimit, duke shënuar një arritje të rëndësishme për SpaceX.
Pas inspektimit fillestar, anija është transportuar në objektet e prodhimit të kompanisë për kontrolle të mëtejshme, ndërsa SpaceX synon të realizojë fluturime të tjera testuese në muajt në vijim. /Telegrafi/