Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është rritur për 10,74% gjatë shtatorit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërkohë, prodhimi i energjisë nga era dhe dielli ka shënuar rritje prej 96,23 për qind, raporton KosovaPress.
Këto të dhëna janë publikuar të hënën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin për statistikat e energjisë për muajin shtator 2026.
Sipas ASK-së, konsumi i përgjithshëm i energjisë elektrike arriti në 386,10 gigavat-orë (GWh), nga 348,67 GWh sa ishte në shtator 2025.
Rritja e konsumit është evidentuar në amvisëri, sektorin komercial dhe industri.
Amvisëritë konsumuan 200,41 GWh energji elektrike, duke shënuar rritje prej 11,01% krahasuar me vitin paraprak. Sektori komercial regjistroi rritje prej 13,66%, ndërsa industria prej 8,43%.
Sipas strukturës së konsumit, amvisëritë përbënin 51,9% të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike, sektori komercial 30%, ndërsa industria 12,9%.
Prodhimi nga era dhe dielli rritet për 96,23%
Të dhënat e ASK-së tregojnë se prodhimi bruto i energjisë elektrike nga era dhe burimet solare arriti në 38,16 GWh gjatë shtatorit 2026, krahasuar me 19,45 GWh në periudhën e njëjtë të vitit 2025.
Kjo paraqet një rritje prej 96,23%, ndërsa pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në konsumin e përgjithshëm ishte 11,20%.
Rritje është regjistruar edhe në prodhimin e energjisë nga hidrocentralet, me 31,24%, ndërsa prodhimi bruto nga termocentralet është rritur për 3,81%.
Energjia elektrike bruto në dispozicion gjatë shtatorit arriti në 467,69 GWh, ose 4,42% më shumë krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Kosova importoi më shumë energji sesa eksportoi
Sa i përket shkëmbimeve të energjisë elektrike, Kosova gjatë shtatorit 2026 regjistroi import prej 308,37 GWh dhe eksport prej 274,23 GWh, ku përfshihen edhe sasitë e transmisionit.
Krahasuar me shtatorin 2025, importi i energjisë elektrike ka shënuar rënie prej 2,66%, ndërsa eksporti është rritur për 2,24%.
Ndërkohë, prodhimi i thëngjillit gjatë shtatorit ishte 509.853 tonë, duke shënuar rënie prej 1,12% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Të dhënat janë pjesë e raportit zyrtar të ASK-së, të publikuar më 16 nëntor 2026. /Telegrafi/