Ndalet zyrtari i Gjykatës në Prishtinë, dyshohet se falsifikoi dokumente për regjistrimin e një banese në emër të një serbi

Ndalet zyrtari i Gjykatës në Prishtinë, dyshohet se falsifikoi dokumente për regjistrimin e një banese në emër të një serbi

Written by

in

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet A.B., i cili kishte ushtruar detyrën e udhëheqësit të Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pas hetimeve disa mujore të zhvilluara nga Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, dyshohet se kishte krijuar dosje fiktive dhe kishte vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një dokumenti të falsifikuar, të titulluar “Kontratë për shitblerje”.

Përmes këtyre veprimeve, dyshohet se ai kishte synuar të siguronte përfitim të kundërligjshëm pasuror për vete dhe persona të tjerë.

Prokuroria bën të ditur se, në kuadër të këtyre veprimeve, një shtetasi të Serbisë, me inicialet M.B., i cili aktualisht ndodhet në arrati, i ishte mundësuar regjistrimi i një prone banesore në emrin e tij në Zyrën Kadastrale në Prishtinë.

Bëhet fjalë për një banesë me sipërfaqe prej 55.89 metrash katrorë, e cila ndodhet në Zonën Kadastrale në Matiçan.

Prokurori i Shtetit pritet që, brenda afatit ligjor, të paraqesë në gjykatën kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Prokuroria nuk ka bërë të ditur detaje të tjera lidhur me rastin.

Burimi: Dukagjini