
Pas aksionit policor “Heshtja”, në kuadër të të cilit u arrestua edhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, nën dyshimet për përfshirje në një grup të organizuar që merrej me blerjen, posedimin dhe shpërndarjen e kokainës, sot është mbajtur seanca dëgjimore për kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij dhe të dyshuarve të tjerë.
Në aksionin e zhvilluar më 14 dhe 15 nëntor, përveç Haraqisë, u arrestuan edhe Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli Ramadani dhe Alban Maloku.
Prokuroria dyshon se të arrestuarit ishin pjesë e një grupi të organizuar kriminal që merrej me furnizimin, përgatitjen dhe shpërndarjen e kokainës, ndërsa për Haraqinë pretendon se kishte rol në furnizimin me substanca narkotike. Ai po ashtu dyshohet për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Në seancën e mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Haraqija e kundërshtoi kërkesën për paraburgim, duke thënë se gjithmonë u është përgjigjur ftesave të institucioneve dhe se nuk ka ndërmend t’i shmanget drejtësisë.
“E kundërshtoj plotësisht kërkesën për caktim të paraburgimit. Unë çdo herë ju kam përgjigjur ftesës së gjykatës edhe në të kaluarën dhe premtoj se do t’i përgjigjem ftesave të gjykatës. Unë ju kam përgjigjur ftesës, si më kanë ftuar policia, ju kam përgjigjur, ndërsa sa i përket mbajtjes së armës, ju ka skaduar leja dhe unë i kam 54 vite, ju premtoj se do t’i përgjigjem ftesës”, deklaroi Haraqija në seancë.
Ndërkaq, avokati i tij, Korab Bokshi, e kundërshtoi në tërësi kërkesën e Prokurorisë, duke pretenduar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
Bokshi tha se në kërkesën e Prokurorisë ka mospërputhje logjike lidhur me rolin që i atribuohet Haraqisë në grupin e dyshuar.
Sipas avokatit, në njërën pjesë të kërkesës pretendohet se Jeton Stanovci, si udhëheqës i grupit, furnizohej me narkotikë nga Mërgim Stanovci, Astrit Haraqija dhe Alban Maloku, ndërsa në një pjesë tjetër pretendohet se Haraqija kishte siguruar një gram kokainë për 30 euro.
“Pra shtrohet pyetja, si furnizues i grupit shkon blen një gram narkotik te një anëtar i grupit, siç thotë Prokuroria. Kjo na bën të kuptojmë se edhe vetë ideja e grupit e ngritur nga Prokuroria nuk është e qëndrueshme”, deklaroi avokati.
Ai pretendoi se Prokuroria nuk ka argumentuar mjaftueshëm as dyshimin e bazuar dhe as kushtet e veçanta që do ta arsyetonin paraburgimin.
Sa i përket rrezikut të arratisjes, Bokshi tha se Haraqija i ishte paraqitur policisë natën kritike, kishte dorëzuar vullnetarisht dy telefona së bashku me kodet e tyre dhe kishte asistuar gjatë kontrollit të banesës.
Avokati theksoi se klienti i tij është figurë publike dhe se, edhe në procedura të mëparshme gjyqësore, gjithmonë u është përgjigjur ftesave të gjykatës dhe institucioneve.
Ai kundërshtoi edhe pretendimet për rrezikun e asgjësimit apo ndryshimit të provave, duke thënë se Prokuroria nuk ka paraqitur ndonjë rrethanë konkrete që e lidh Haraqinë me një rrezik të tillë.
Lidhur me armën që iu gjet në banesë, avokati tha se ajo kishte pasur leje, por se leja kishte skaduar.
Në fund, Bokshi kërkoi që gjykata ta refuzojë kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj Haraqisë, ndërsa në rast se vlerësohet e nevojshme, t’i caktohet një masë më e butë, e paraparë me Kodin e Procedurës Penale.
Seanca dëgjimore, sipas procesverbalit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka përfunduar në orën 13:30.
Burimi: Insajderi