Foda e Asllani para ndeshjes me Irlandën: Luajmë për fitore

Foda e Asllani para ndeshjes me Irlandën: Luajmë për fitore

Written by

in

Kosova luan të martën në udhëtim kundër Irlandës, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve. “Dardanëve” u mjafton edhe një barazim për ta siguruar vendin e dytë në Grupin 3 të Ligës B, por Foda ka bërë të qartë se skuadra e tij do të kërkojë tri pikët.

“Për ne është ndeshje e vështirë dhe jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e saj. Irlandës i duhet fitorja, ndërsa neve na konvenon edhe barazimi. Por, në fushë ekipet hyjnë për fitore. Do të tentojmë që përmes kundërsulmeve ta fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Foda në konferencë për media.

Ai ka folur edhe për mungesën e Edon Zhegrovës, i cili u largua nga grumbullimi për shkak të një lëndimi.

“Edon Zhegrova nuk është, por lojtarët e tjerë janë në dispozicion. Pas stërvitjes do të vendosim se cilët futbollistë do të luajnë”, ka deklaruar përzgjedhësi i Kosovës.

Foda ka theksuar se synimi është që Kosova ta imponojë lojën e saj dhe të marrë rezultatin e dëshiruar, pavarësisht atmosferës që mund të krijohet në stadium.

“Për futbollistët është gjithmonë mirë të luajnë në një atmosferë impozante. Shpresoj që edhe nesër të ketë shikues. Për ne është e rëndësishme ta imponojmë lojën tonë ndaj Irlandës dhe ta marrim rezultatin që kërkojmë”, ka shtuar ai.

Edhe sulmuesi Fisnik Asllani ka thënë se Kosova do të hyjë në fushë për fitore dhe jo për barazim.

Futbollisti i Hoffenheimit ka vlerësuar se Irlanda është kundërshtar i fortë, por ka besim se “Dardanët” mund ta fitojnë përballjen.

“Ne kemi pasur përkrahje të madhe dhe gjithmonë i kemi pasur tifozët prapa vetes. Ndeshjet që i përmende kundër Sllovenisë, Sllovakisë, Suedisë dhe Zvicrës, i kemi pasur tifozët pas vetes. Mund të ndodhë që pas rezultateve të fundit të jetë ndryshe, por ne do të japim 100 për qind për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Asllani.

Ai ka përsëritur se futbolli nuk luhet për barazim, edhe pse ky rezultat do t’i mjaftonte Kosovës për ta ruajtur pozitën e dytë.

“Është një ndeshje kundër një kundërshtari të fortë. Ne e kemi mposhtur në Prishtinë. Atyre u duhet fitorja, ndërsa neve na mjafton barazimi për të mbetur në vendin e dytë. Por, në futboll nuk luhet për barazim, por për fitore. Jemi dy ekipe të forta dhe të shohim se kush do të jetë më i fortë”, ka deklaruar sulmuesi.

Kosova renditet në vendin e dytë në Grupin 3 të Ligës B me gjashtë pikë nga pesë ndeshje. “Dardanët” kanë një pikë më shumë se Irlanda, që zë vendin e tretë, ndërsa Austria e ka siguruar vendin e parë në grup.

Kosova e fitoi ndeshjen e parë ndaj Irlandës, të zhvilluar në Prishtinë, me rezultat 1:0.

Përfundimi në vendin e dytë do t’i mundësonte Kosovës të luante në barazh për ngjitje në Ligën A të Ligës së Kombeve.

Burimi: RTKLive