Dokument/ 27 mijë euro shitje javore të drogës dhe vonesa ndaj klientëve: Çfarë zbulojnë përgjimet për grupin e dyshuar?

Dokument/ 27 mijë euro shitje javore të drogës dhe vonesa ndaj klientëve: Çfarë zbulojnë përgjimet për grupin e dyshuar?

Written by

in

Dokument/ 27 mijë euro shitje javore të drogës dhe vonesa ndaj klientëve: Çfarë zbulojnë përgjimet për grupin e dyshuar?

Sipas skemës së hetimit policor, e përfshirë në dosjen e Prokurorisë që e ka siguruar Insajderi, grupi i dyshuar për shitjen e kokainës në kuadër të operacionit “Heshtja” funksiononte përmes disa niveleve, ku secili prej të dyshuarve kishte rol të caktuar, nga furnizimi me drogë deri te shpërndarja dhe mbledhja e parave.

Në këtë skemë, Mërgim Stanovci dhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, figurojnë si furnizuesit kryesorë të lëndës narkotike. Ata dyshohet se siguronin kokainën që më pas shpërndahej përmes anëtarëve të tjerë të grupit.

Në qendër të organizimit, sipas dosjes së Prokurorisë, ishte Jeton Stanovci, i njohur me nofkën “Daja”. Ai dyshohet se koordinonte aktivitetin e grupit, pranonte sasitë e narkotikëve, kujdesej për ndarjen e tyre në sasi më të vogla dhe menaxhonte paratë e siguruara nga shitja. Mjetet financiare, sipas skemës, përfundonin tek ai.

Një rol tjetër në këtë organizim dyshohet se kishte Alban Maloku, i cili komunikonte drejtpërdrejt me “Dajën” dhe pjesën tjetër të rrjetit të shpërndarjes. Sipas hetimit, ai merrej me ruajtjen e sasive të narkotikëve dhe furnizimin e shpërndarësve.

Në nivelin e shpërndarjes ishin Gëzim Feka, Arianit Beqiri dhe Albert Krasniqi. Këta dyshohet se merrnin sasitë e kokainës për t’i shpërndarë më pas te blerësit. Gëzim Feka, sipas skemës policore, kishte komunikim dhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë edhe me Beqirin dhe Krasniqin.

Si komunikonte grupi?

Përgjimet e përfshira në raportin e masave të veçanta hetimore në rastin “Heshtja” përshkruajnë komunikime të shpeshta mes të dyshuarve, ku, sipas Prokurorisë, diskutoheshin furnizimi me narkotikë, shpërndarja, sasitë e shitura, borxhet dhe paratë e mbledhura.

Në raport, Jeton Stanovci përmendet me pseudonimin “Daja”, ndërsa Astrit Haraqija dyshohet se përdorte pseudonimin “Ministri”.

Sipas materialit të Prokurorisë, më 3 maj 2026, Gëzim Feka e njofton “Dajën” se një blerës, i identifikuar si “Roberti”, po kërkonte një gram narkotik borxh deri ditën e nesërme. Në një bisedë tjetër, më 6 maj, “Daja” shpreh pakënaqësi për sasinë e vogël të shitjeve dhe e pyet Fekën nëse kishte marrë dikush ndonjë sasi.

Komunikimet e përshkruara në raport përfshijnë edhe diskutime për sasitë e shitura nga Gëzim Feka dhe Arjanit Beqiri, të cilët, sipas Prokurorisë, raportonin te “Daja” për shitjet dhe barazimet.

Një nga pjesët e raportit përmend datën 12 maj 2026, kur Feka, sipas Prokurorisë, e njofton “Dajën” se kishte pranuar një sasi të substancës narkotike nga personi që në komunikime identifikohej si “Ministri”. Raporti thotë se ky pseudonim i referohej Astrit Haraqijës.

Në një tjetër rast, më 17 maj, “Daja” e udhëzon Fekën t’i dërgojë një personi të identifikuar si “Galqi” 10 gramë, ndërsa Feka i përgjigjet se nuk kishte më sasi, pasi kishte shitur 495 gramë. Në të njëjtin komunikim përmendet edhe sasia që, sipas tij, kishte shitur Arjanit Beqiri.

Raporti përshkruan gjithashtu një takim më 18 maj, ku Arjanit Beqiri dyshohet se kishte mbledhur rreth 40 mijë euro nga shitjet javore dhe i kishte dërguar në objektin ku banonte Jeton Stanovci. Sipas Prokurorisë, paratë në atë lokacion i kishte pranuar Albana Xhemjali.

Në përgjimet e muajve pasues, të dyshuarit dëgjohen duke diskutuar për mospërputhje në sasi, borxhe të klientëve, furnizime të reja dhe llogaritjen e parave. Në një bisedë të 7 shtatorit, për shembull, Feka dhe “Daja” diskutojnë për dallimet mes sasive të marra dhe atyre që pretendohej se ishin shitur.

Materiali përfshin edhe një komunikim të 16 shtatorit, ku Feka e pyet “Dajën” për çmimin e një sasie prej një kilogrami dhe më pas e vë blerësin në kontakt me të.

Këto komunikime janë pjesë e materialit hetimor të Prokurorisë dhe paraqesin pretendimet e saj për mënyrën e funksionimit të grupit të dyshuar. Ato nuk përbëjnë vendim përfundimtar mbi fajësinë e personave të përfshirë.

Gjashtë të dyshuarit në këtë rast janë Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemjali Ramadani, Astrit Haraqija dhe Alban Maloku. Ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, sipas informatës së dhënë për vendimin e gjykatës.

Detaje nga disa nga bisedat e zbuluara nga hetimet:

Biseda e datës 04.07.2026, ora 11:51:00

Sipas dokumentit, Gëzim Feka flet me Dajën rreth barazimeve:

  • Gëzim Feka: Urmo babo.
  • Jeton Stanovci: Qka je ka bon?
  • Gëzim Feka: Qe vallahi qitu.
  • Jeton Stanovci: Hej, thirre Enesin, thuj edhe thuj edhe Kinës.
  • Gëzim Feka: O lema këtë punë mu o vlla, unë me to kesh hongra bukë, i kallxova.
  • Jeton Stanovci: Thuj 1340.
  • Gëzim Feka: Menihere e din ai që menihere si t’i rahatoj punët edhe ja qoj.
  • Jeton Stanovci: Ti qoja menihere.
  • Gëzim Feka: Qe pi thimi në shpi, po ju thom le t’mi dajn edhe po ja qoj.
  • Jeton Stanovci: Edhe kyqtr a ki.
  • Gëzim Feka: Ka bre kaaa, kom unë, fol a me ta edhe i thash boni do të trasha.

Biseda e datës 31.07.2026, ora 19:51:52

Sipas dokumentit, Gëzim Feka bisedon me Dajën për shkak të vonesave dhe Daja i thotë:

  • Gëzim Feka: Urmo babo.
  • Daja (Jeton Stanovci): Xhambo je hup krejt o vlla, a nin a s’nin, a te fala.
  • Gëzim Feka: S’ma qelke plaku.
  • Daja (Jeton Stanovci): A e kryve Burakun.
  • Gëzim Feka: Jo.
  • Daja (Jeton Stanovci): Pse, qa kryve deri qitash?
  • Gëzim Feka: Tefikun edhe Belin.
  • Daja (Jeton Stanovci): Nisu bre babush.
  • Gëzim Feka: Qe te Hallaçi jam qitash, edhe pe kryj plakun edhe po ja therri te Buraku.

Burimi: Insajderi