Skandali me interpretimin e këngës nacionaliste serbe për Kosovën në një koncert të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, ka dominuar si temë në Forumin vjetor për Zgjerimin. Ngjarja nxiti reagime nga Prishtina dhe Tirana, ndërsa Komisioni Evropian u distancua nga përzgjedhja e këngës, duke ia atribuuar përgjegjësinë grupit muzikor. Por, përtej skandalit, rasti riktheu në vëmendje pozitën tonë në procesin e zgjerimit evropian, sidomos për faktin se institucionet e Kosovës nuk janë ftuar për të dytin vit radhazi në Forumin për Zgjerim.
Koncerti synonte të promovonte bashkimin e kulturave evropiane, por një këngë nacionaliste serbe, e cila u prezantua në emër të Kosovës, krijoi tensione politike dhe u shndërrua në temën kryesore të forumit vjetor për zgjerimin. Megjithatë, nikoqirja e ngjarjes më të madhe vjetore kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian, komisionerja Marta Kos, fajin e plotë ua lë interpretuesve të melodisë kontestuese.
Sipas Komisionit Evropian, kënga ishte përzgjedhur nga grupi muzikor, pa miratimin e këtij institucioni.
“Dhe dua të theksoj se kjo këngë në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian, as qëndrimin tim, në lidhje me Kosovën dhe historinë e saj”, tha Marta Kos.
Për këngën foli edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në forum.
“Nuk e di nëse ishte qëllim apo padije, por këtu, në prag të këtij eventi, u këndua një këngë nacionaliste pa shije, krejt e kundërta e asaj që përfaqëson ky takim. Dhe, si për ta rënduar edhe më shumë fyerjen, ajo u interpretua nën titullin e bukur “Melodi për unitetin””, tha Rama.
Engjëllushe Morina ishte e pranishme në koncert. Ashtu si të tjerët, edhe ajo u shpreh e tronditur nga interpretimi i melodisë dhe është e mendimit se bëhet fjalë për një lëshim që nuk mund të justifikohet:
Ky është viti i dytë i Forumit për Zgjerimin, i cili mbledh udhëheqës evropianë, përfaqësues të vendeve që synojnë anëtarësimin, ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile. Për të dytin vit radhazi, institucionet e Kosovës nuk janë të përfaqësuara, sepse nuk janë ftuar. Marta Kos insiston se Kosova ka përfaqësues dhe si shembull përmend pjesëmarrjen e Donika Eminit. Megjithatë, Emini mori pjesë në panel dhe në forum si përfaqësuese e shoqërisë civile, e jo e institucioneve të Kosovës.
Burimi: RTKLive
