Kryeministri Edi Rama është takuar me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola gjatë vizitës së tij në Bruksel në kuadër të pjesëmarrjes në orumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Europian.
Gjatë takimit Presidentja e Parlamentit Europian shprehu gatishmërinë e saj për të mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë drejt antarësimin në BE.
“Dua t’ju përgëzoj për përparimin që keni bërë në këtë proces. Siç e dini, ky Parlament është shumë, shumë mbështetës i zgjerimit. Prandaj është mirë që jeni këtu. Mund të mbështeteni në përkrahjen tonë në këtë drejtim”, tha ajo.
Gjatë fjalës së mbajtur sot në Forum, kryeministri Rama u fokusua kryesisht në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimin në familjen evropiane. Kreu i qeverisë theksoi se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i bazuar në meritë ndërsa plani i rritjes i hartuar nga BE, është një instrument që u vjen në ndihmë vendeve të rajonit për tu afruar me standardet evropiane.
Sakaq, edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke e cilësuar progresin e vendit si domethënës në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Nga diskutimet në panel, u risoll në vëmendje dhe çështja e protestave në Tiranë, për të cilat Rama tha se morën vëmendje për shkak të hijes së presidentit amerikan Donald Trump, që qëndron pas.