
Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme Gjakovën, ku pas një rasti që dyshohet se lidhet me një plaçkitje në Çarshinë e Madhe, ka mbetur i plagosur një person me armë zjarri, ndërsa dy të tjerë kanë përfunduar në spital në gjendje shoku.
Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore ka dalë me një njoftim zyrtar Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, duke konfirmuar se rreth orës 17:10 në Emergjencën e këtij institucioni janë pranuar tre persona – një mashkull dhe dy femra.
Sipas mjekëve, mashkulli ka pësuar plagë nga arma e zjarrit në gishtin e parë të këmbës së djathtë, ndërsa pas ekzaminimeve radiologjike (RTG) është konstatuar se plumbi ka mbetur ende në këmbën e tij.
“Pas ekzaminimit radiologjik (RTG), është evidentuar prania e një trupi të huaj në këmbën e djathtë. Pacienti është pranuar për trajtim spitalor. Gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, bëhet e ditur në njoftimin e spitalit.
Ndërkaq, dy femrat që u dërguan në Emergjencë nuk kanë pësuar lëndime fizike, por kanë qenë tejet të tronditura nga ngjarja, ndaj pas ndihmës së nevojshme mjekësore janë liruar për në shtëpi.
Organet e rendit po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje që dyshohet se lidhet me një tentim-plaçkitje në zemër të Gjakovës.
Burimi: Sinjali