Marine Le Pen, liderja e partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Tubimi Kombëtar (National Rally), ka konfirmuar se synon t’i japë fund ndihmës financiare për Ukrainën nëse zgjidhet presidente në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Deklarata u bë të hënën, pas një takimi me ambasadorin ukrainas në Paris, Vadym Omelchenko, transmeton Telegrafi.
Le Pen tha se i vjen keq që gjendja e financave publike të Francës nuk lejon vazhdimin e mbështetjes financiare për Kievin, por theksoi se një pjesë e zotimeve ekzistuese do të respektohen.
Sipas një sondazhi të publikuar më 14 nëntor nga instituti Elabe, Le Pen kryeson me rreth 32 për qind të mbështetjes, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027. Pas saj renditet Jean-Luc Mélenchon, nga partia e së majtës radikale Franca e Papërkulur, me rreth 17 për qind.
Në prag të pesëvjetorit të nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, Tubimi Kombëtar publikoi një deklaratë ku theksoi se Franca nuk mund të vazhdojë të ofrojë ndihmë financiare për Kievin, por do të përmbushë “zotimet ekzistuese”.
Në këtë kuadër, partia përmendi kredinë prej 90 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian për Ukrainën, si dhe “dhurimet materiale, ndihmën humanitare dhe diplomacinë më aktive”.
Le Pen i cilësoi bisedimet me ambasadorin ukrainas si “miqësore” dhe tha se takimi i dha mundësinë të ritheksonte “mbështetjen e saj të palëkundur për Ukrainën”.
Le Pen është përballur vazhdimisht me kritika për lidhjet e saj të mëparshme me Rusinë. Në vitin 2017, ajo ishte takuar në Kremlin me presidentin rus, Vladimir Putin, ndërsa partia e saj kishte marrë një kredi nga një bankë ruse, të cilën e shlyeu plotësisht në vitin 2023.
Në deklaratën pas takimit me ambasadorin ukrainas thuhej gjithashtu se palët kishin zhvilluar një “diskutim të hapur” për të ardhmen e konfliktit.
Le Pen theksoi se “ndjekja e paqes, ndonëse një objektiv i vështirë për t’u arritur, duhet të mbetet përparësi për të gjithë”.
Kundërshtarët e saj politikë kanë paralajmëruar se këmbëngulja për përfundimin sa më të shpejtë të luftës mund ta detyrojë Ukrainën të pranojë kushte të pafavorshme për të.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, reagoi ndaj këtyre qëndrimeve përmes një postimi në Facebook gjatë fundjavës.
“Nëse Rusia ia imponon vullnetin e saj një vendi evropian përmes brutalitetit, e gjithë Evropa dobësohet”, shkroi Macron.
Duke iu referuar qëndrimeve për kufizimin e ndihmës për Ukrainën, ai shtoi: “Le të jemi të qartë: ata që kërkojnë të kufizojnë burimet në dispozicion të Ukrainës, në të vërtetë po shtyjnë drejt një paqeje të padrejtë, e cila do ta linte Ukrainën përgjithmonë të cenueshme dhe, rrjedhimisht, do ta bënte edhe Evropën më të cenueshme”.
Gjatë takimit, Le Pen i kërkoi ambasadorit ukrainas që t’ia përcillte presidentit Volodymyr Zelensky gatishmërinë e saj për një takim në Paris ose Bruksel.
Megjithatë, në deklaratën e saj nuk u përmend mundësia që ajo të udhëtojë drejt Kievit, ku Zelensky e ka ftuar më herët. /Telegrafi/