Një raketë Vulcan e kompanisë United Launch Alliance (ULA), një sipërmarrje e përbashkët e Boeing dhe Lockheed Martin, dështoi rreth 10 minuta pas nisjes nga baza hapësinore Cape Canaveral në Florida, të dielën. Si pasojë, humbën të 40 satelitët e internetit Amazon Leo që ndodheshin në bord, duke shënuar dështimin e parë të një misioni për kompaninë.
“Bazuar në të dhënat e marra nga drejtori ynë i nisjes, konfirmojmë se raketa Vulcan, e nisur nga Kompleksi Hapësinor 41, pësoi një anomali 10 minuta pas fluturimit dhe nuk arriti ta dërgonte ngarkesën e Amazon në orbitë”, deklaroi ULA.
Shkaku i saktë i incidentit nuk është bërë ende i ditur. Kompania tha se po mbledh të dhëna për të kuptuar se çfarë ndodhi, transmeton Telegrafi.
“Çdo fluturim gjeneron të dhëna dhe na mëson diçka. Meqenëse anomalia sapo ndodhi, ende nuk kemi të dhëna konkrete për të kuptuar se çfarë ndodhi sot”, shtoi ULA.
Dështimi përbën një goditje të rëndësishme për raketën e re kryesore të kompanisë, e cila pritej të niste një seri të rregullt fluturimesh për programin në zgjerim të internetit satelitor të Amazon.
Ngjarja pritet të pasohet nga një hetim teknik që mund ta mbajë raketën Vulcan jashtë funksionit për disa muaj.
“Çdo nisje përfshin rreziqe, veçanërisht misionet e para si LV-01. ULA ka qenë një partnere e besueshme për Amazon dhe besojmë se do të nxjerrë mësime nga ky mision dhe do të realizojë planet afatgjata për raketën Vulcan”, tha Amazon në një deklaratë.
ULA u themelua në vitin 2006, pas bashkimit të programeve të raketave Delta të Boeing dhe Atlas të Lockheed Martin. Incidenti i së dielës shënoi dështimin e parë të plotë të një misioni në historinë e kompanisë, duke i dhënë fund serisë së saj të dërgesave të suksesshme në orbitë.
US rocket fails mid-flight, destroying cargo of Amazon satellites www.youtube.com
Nisja e së dielës ishte fluturimi i pestë i raketës Vulcan që nga debutimi i saj në vitin 2024 dhe i pari pas një ndërprerjeje nëntëmujore. Kjo pauzë erdhi pas hetimeve të ndara teknike për përforcuesit e saj me karburant të ngurtë dhe motorët kryesorë BE-4, të prodhuar nga Blue Origin, kompania hapësinore e themeluar nga Jeff Bezos.
Përforcuesit me karburant të ngurtë ishin vënë nën vëzhgim pas anomalive në dy fluturimet e mëparshme të Vulcan, përfshirë një mision të shkurtit 2026 për Forcat Hapësinore të SHBA-së. Pavarësisht problemeve, të dy misionet kishin arritur t’i dërgonin ngarkesat në orbitë.
Forcat Hapësinore amerikane pezulluan përkohësisht nisjet e raketës Vulcan për misione të sigurisë kombëtare, në pritje të përfundimit të hetimit dhe zbatimit të masave korrigjuese.
Misioni i së dielës për Amazon pritej të ofronte të dhëna shtesë, përpara se ushtria të vendoste nëse do ta miratonte raketën për këto fluturime.
Një hetim i mëparshëm kishte identifikuar si shkak të problemit valvulën kryesore të oksigjenit të motorit. Pas kësaj, Blue Origin zhvilloi modifikime për motorët BE-4 që i furnizon ULA-së, ndërsa motorët e instaluar në raketën Vulcan u përditësuan, sipas zyrtarëve të kompanisë.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse motorët BE-4 kanë pasur ndonjë rol në dështimin e së dielës.
Amazon mbështetet te kompanitë e tjera të hapësirës për dërgimin në orbitë të satelitëve të rrjetit të saj të internetit Leo. Por edhe ofruesit e tjerë të shërbimeve të nisjes janë përballur me probleme teknike dhe vonesa.
Në maj, raketa New Glenn e Blue Origin shpërtheu gjatë një prove në tokë, vetëm pak ditë para se të niste një mision për dërgimin e satelitëve Amazon Leo.
Vështirësitë e përsëritura me nisjet kanë ndërlikuar përpjekjet e Amazon për të konkurruar me rrjetin Starlink të SpaceX, i cili ka më shumë se 11 mijë satelitë dhe miliona klientë në mbarë botën.
Përparësia e SpaceX ndaj rivalëve në tregun e internetit satelitor lidhet pjesërisht me faktin se kompania përdor raketat e veta për të vendosur satelitët në orbitë. Ndërkaq, kompanitë e tjera varen nga ofrues të jashtëm, gjë që rrit kostot dhe kompleksitetin e ndërtimit të rrjeteve të tyre.
Sipas Reuters, para dështimit të së dielës, Amazon kishte dërguar në orbitë 398 satelitë Leo përmes 14 misioneve që nga viti 2025. Kjo përfaqësonte rreth 12 për qind të 3,236 satelitëve që kompania synon t’i vendosë për të siguruar mbulim global.
Amazon kishte shpresuar t’i niste shërbimet e para të internetit gjatë këtij viti. /Telegrafi/