
Egzon Reshani është deklaruar i pafajshëm të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi prokurori lexoi aktakuzën që e ngarkon me veprën penale “Kanosja”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Reshani akuzohet se më 15 prill 2026, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në Facebook, e ka kanosur kryeprokurorin e Prizrenit, Petrit Kryeziu, me qëllim që t’i shkaktonte frikë dhe pasiguri.
Prokuroria pretendon se Reshani kishte kërcënuar me vrasje edhe tre zyrtarë policorë, Xhavit Berishën, Fitim Haxhifazliun dhe Tafil Gashin, të cilët kishin ndërmarrë veprime zyrtare në procedurat penale ndaj tij.
Siç kishte raportuar Gazeta Sinjali në prill, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i kishte dënuar kërcënimet pas publikimit të videos.
I akuzuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali