
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë seanca fillestare në rastin për kontrabandë të derivateve, shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi, për t’i mundësuar mbrojtjes të pajiset me shkresat e lëndës.
Rasti u bë publik më 1 korrik 2026, kur në një aksion të Prokurorisë Speciale u arrestuan nëntë persona.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, një pjesë e naftës dyshohet se shitej në Shqipëri, ndërsa cisternat hynin në Kosovë me ujë dhe me më pak naftë sesa deklarohej në dokumentet e importit. Prokuroria pretendon se për këto ngarkesa lëshoheshin fatura fiktive të shitjes së derivateve.
Prokuroria dyshon se skema drejtohej nga Faruk Mazrek, i njohur më parë si Faik Mazreku, dhe se në të ishte përfshirë edhe djali i tij, Fariz Mazrek. Sipas dosjes, biznesi “PO PETROLL FARIZ” në Mamushë dyshohet se është përdorur për të paraqitur si të ardhura nga shitja e karburanteve para që, sipas Prokurorisë, buronin nga trafikimi i narkotikëve.
Organi i akuzës pretendon gjithashtu se ishin marrë katër kredi në vlerë të përgjithshme prej 930 mijë eurosh për të justifikuar qarkullimin e deklaruar të biznesit.
Në aksionin e korrikut, përveç Faruk dhe Fariz Mazrekut, u arrestuan edhe Skender Kelmendi, Nisret Bajraktari, Dashnim Miftari, Adem Morina, Muhamet Mazrek, Naser Morina dhe Gazmen Quni. Sipas dosjes, dyshimet për rolet e tyre lidhen me faturimin, deklarimin e importeve, transportin dhe ndërhyrjet në cisterna.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali