Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar mesazhe urimi nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, me rastin e marrjes së detyrës.
Në mesazhin e tij, presidenti italian, Sergio Mattarella, ka shprehur shpresën që bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Italisë të marrë një shtysë të re dhe të thellohet më tej.
Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e përparimit të Kosovës në reformat e brendshme, të cilat synojnë afrimin e vendit me Bashkimin Evropian.
“Shpresoj gjithashtu që, gjatë mandatit tuaj, Kosova të arrijë përparim konkret dhe të qëndrueshëm në reformat e brendshme të nevojshme për ta afruar vendin me familjen e përbashkët evropiane. Në këtë rrugëtim sfidues, Kosova do të mund të mbështetet në përkrahjen tonë”, thuhet në letrën e Mattarellës.
Ndërkaq, presidenti kroat, Zoran Milanoviq, ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.
Milanoviq ka ritheksuar mbështetjen e Kroacisë për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe në formatet e bashkëpunimit rajonal, me theks të veçantë në anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Ai gjithashtu ka shprehur shpresën që së shpejti të zhvillojë një takim me presidenten Shiroka-Pula, për të shkëmbyer pikëpamje mbi mundësitë e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Presidentët e Italisë dhe Kroacisë i dërgojnë urime Shiroka-Pulës: Mbështesim Kosovën appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali