Kushtetuesja konstaton shkelje të së drejtës për gjykim brenda afatit të arsyeshëm në Gjykatën e Klinës
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm në një kontest pronësor që po trajtohet në Gjykatën Themelore në Pejë, Dega në Klinë.
Aktgjykimi është publikuar në rastin KI116/25, të parashtruar nga Zef Shala, i cili kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore në lëndën C. nr. 152/12.
Gjykata Kushtetuese, njëzëri, e ka shpallur kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar se është shkelur neni 31 i Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm.
Sipas aktgjykimit, çështja pronësore ka mbetur e pazgjidhur për më shumë se 16 vjet, 10 muaj dhe 17 ditë nga inicimi i saj deri në parashtrimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa, nga përfshirja e Zef Shalës në cilësinë e palës së paditur, më 13 shtator 2016, deri më 2 maj 2025, kishin kaluar tetë vjet, shtatë muaj dhe 19 ditë.
Gjykata ka vlerësuar se, ndonëse rasti kishte natyrë komplekse dhe përfshinte disa palë, kjo nuk mund ta justifikonte një zvarritje të tillë të procedurës.
Në aktgjykim theksohet se edhe veprimet e palëve ndërgjyqëse kanë kontribuar në vonesat e procedurës, por përgjegjësi për tejzgjatjen ka edhe Gjykata Themelore në Pejë, Dega në Klinë, e cila nuk ka ndërmarrë masa adekuate dhe efikase për zgjidhjen e çështjes brenda një afati të arsyeshëm.
Si rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Gjykatën Themelore në Pejë, Dega në Klinë, që të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm proceduralë për trajtimin e lëndës me prioritet dhe dinamikë, si dhe që jo më larg se më 16 maj 2027 ta informojë Kushtetuesen për masat e ndërmarra në zbatimin e aktgjykimit.
Gjykata ka sqaruar se konstatimi i shkeljes lidhet vetëm me kohëzgjatjen e procedurës dhe nuk paragjykon rezultatin përfundimtar të kontestit pronësor.
Burimi: RTKLive
