A e vrau shteti Blerta Hysenin?

A e vrau shteti Blerta Hysenin?

Written by

in

A e vrau shteti Blerta Hysenin?

Shkruan: Bedri Elezi

Kur një qytetare humb jetën brenda një stacioni policor, shteti nuk mund të fshihet pas heshtjes institucionale!

Vdekja e Blerta Hysenit në Stacionin Policor Rajonal në Prizren nuk është një ngjarje që mund të trajtohet si një incident i zakonshëm policor, e aq më pak të mbyllet me një komunikatë formale dhe disa fjali standarde për rrethanat e vdekjes.

Këtu kemi të bëjmë me një pyetje jashtëzakonisht serioze: Si është e mundur që një qytetare, e cila ndodhet nën përgjegjësinë dhe mbikëqyrjen e institucioneve shtetërore, të humbë jetën brenda një objekti policor?

Kush e kishte përgjegjësinë për sigurinë e saj? Kush e mbikëqyri? A u respektuan procedurat policore? A iu ofrua ndihma e nevojshme mjekësore në kohën e duhur? A janë ruajtur kamerat e sigurisë, regjistrimet, evidencat e ndalimit dhe të gjitha provat relevante?

Nuk mjafton që Policia të hetojë vetveten. Nuk mjafton as që Prokuroria të na sigurojë se rasti është duke u trajtuar. Kërkohet një hetim i pavarur, profesional, transparent dhe i mbikëqyrur nga mekanizma jashtë zinxhirit të përgjegjësisë së drejtpërdrejtë policore.

Nëse ka pasur neglizhencë, përgjegjësia duhet të shkojë deri në nivelet më të larta të zinxhirit komandues. Nëse ka pasur shkelje të procedurave, ato duhet të identifikohen. Nëse ka pasur veprime të kundërligjshme, përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.

Nuk mund të pranohet që institucionet që janë themeluar për të mbrojtur jetën e qytetarëve të shndërrohen në hapësira ku jeta e tyre vihet në rrezik, pa dhënë askush llogari.

Blerta Hyseni nuk është vetëm një emër në një raport policor. Ajo është një jetë e humbur, një familje e goditur nga tragjedia dhe një detyrim moral e institucional për të zbardhur të vërtetën.

Shteti nuk matet vetëm me aftësinë për të arrestuar qytetarët, por mbi të gjitha me aftësinë për t’ua garantuar sigurinë dhe jetën edhe atyre që i ka nën mbikëqyrjen e tij.

Prandaj, pyetja që duhet t’i drejtohet sot çdo institucioni të Republikës së Kosovës është:

A do të zbardhet e vërteta për vdekjen e Blerta Hysenit, apo edhe kjo tragjedi do të përfundojë në arkivin e rasteve të pazbardhura të institucioneve tona?

Drejtësi për Blerta Hysenin!
Përgjegjësi institucionale, pa përjashtim dhe pa kompromis!

Burimi: Insajderi