
Pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bali Hoxha, është shpallur zyrtarisht i pafajshëm nga Gjykata “Crown Court” në Norwich të Mbretërisë së Bashkuar, pasi Prokuroria hoqi dorë nga paraqitja e provave.
Lajmin e ka konfirmuar zyrtarisht Ministria e Mbrojtjes, e cila ka bërë të ditur se seanca është mbajtur ditën e djeshme, më 16 nëntor 2026.
“Gjatë seancës, Prokuroria konfirmoi se nuk do të paraqiste prova kundër tij, ndërsa gjykata urdhëroi regjistrimin e vendimit lirues lidhur me akuzën për veprën penale të përdhunimit. Me këtë vendim, të gjitha procedurat gjyqësore ndaj tij kanë përfunduar,” thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Çfarë kishte ndodhur?
28-vjeçari Hoxha, me banim në kampin “West Tofts” në Thetford të Norfolk-ut në Angli, po qëndronte atje në kuadër të misionit për të ndihmuar në trajnimin e personelit të ushtrisë ukrainase.
Ai ishte vënë në shënjestër të drejtësisë britanike nën akuzat për përdhunim dhe dy vepra penale të sulmit seksual ndaj një gruaje. Incidenti dyshohej se kishte ndodhur më 17 shtator, rreth orës 23:30, përgjatë një shtegu këmbësorësh midis rrugës “Prince of Wales” dhe Parkut Tregtar “Riverside”.
Që nga fillimi i procesit, Bali Hoxha i ka mohuar me ngulm të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij. Me mosparaqitjen e provave nga ana e akuzës, gjykata ka mbyllur përfundimisht çështjen, duke e lënë të lirë pjesëtarin e FSK-së.
Në fund të njoftimit, Ministria e Mbrojtjes ka ritheksuar përkushtimin e saj të palëkundur ndaj sundimit të ligjit, pavarësisë së drejtësisë dhe respektimit rigoroz të parimit të prezumimit të pafajësisë.
Burimi: Sinjali