Liderët e shteteve anëtare të BE-së do të konfirmojnë në këtë takim se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve vazhdon t’i pengojë të dyja vendet në rrugën drejt Brukselit.
Sipas draftit të deklaratës që do të miratohet në fund të samitit, shefat e shteteve dhe të qeverive të BE-së do të theksojnë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e dialogut dhe se, ndër të tjera, edhe mjetet nga Plani i Rritjes kushtëzohen pikërisht me angazhimin konstruktiv në këtë proces.
Samiti i radhës mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 25 nëntor. Bëhet fjalë për një takim tradicional, i cili do të shërbejë për të konfirmuar se dyert mbeten të hapura për bashkimin e rajonit me bllokun evropian.
Sipas draftit të deklaratës, zgjerimi përshkruhet si një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin evropian.
Vendet e rajonit do të ftohen të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të përmbushin detyrimet e nevojshme për përparimin drejt BE-së.
Në këtë kontekst, do të përmendet nevoja për shtimin e bashkëpunimit rajonal, do të dënohet glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe do të kërkohet përshtatja e politikave vendore me ato të Bashkimit Evropian.
Burimi: RTKLive
