Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili po hetohet për konfliktin e armatosur në Banjskë në vitin 2023, nuk u paraqit në stacionin e policisë të dielën, më 15 nëntor, edhe pse gjykata e urdhëroi të paraqitej dy herë në muaj.
Ky është lajmi i fundit që vjen nga mediat serbe, përcjell Telegrafi.
Dhe sipas tyre, Gjykata e Lartë në Beograd, me urdhër të të cilit Radoiçiq duhet të paraqitet në stacionin e policisë më 1 dhe 15 të çdo muaji, nuk mundi as ta konfirmonte dhe as ta mohonte këtë informacion.
Dje (e hënë, 16 nëntor), Gjykata e Lartë deklaroi vetëm se “brenda juridiksionit të saj, monitoron zbatimin e masës së vendosur dhe, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, ndërmerr të gjitha veprimet e planifikuara që lidhen me kontrollin e përmbushjes së detyrimit të vendosur”.
Ka shkuar në Rusi?
Lajmi për mungesën e Milan Radoiçiqit nga stacioni i policisë së “Savski Venac” në Beograd më 15 nëntor vjen pas pretendimit të ish-inspektorit të BIA-s, Milan Zvezdanoviq, se Radoiçiq u largua nga Serbia dhe shkoi në Moskë, për të cilin nuk ka konfirmim zyrtar për momentin.
Siç theksohej më tej, deri më tani, Radoiçiq shkonte rregullisht në stacionin e policisë çdo datë 1 dhe 15 të muajit, për të konfirmuar se ai ishte ende në vendbanimin e tij.
Ndërkohë, javën e kaluar, Gjykata e Lartë në Beograd i konfirmoi N1 se stacioni i policisë e informoi atë në një letër të datës 4 nëntor se Radoiçiq u lajmërua për herë të fundit më 1 nëntor.
Milan Radoiçiq u fajësua për rastin “Bansjka”, kur një konflikt i armatosur ndodhi në fshatin Banjskë me të njëjtin emër, pranë Zveçanit në veri të Kosovës – nga ku mbeti i vrarë edhe polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Radoiçiq akuzohet për blerjen e armëve, municioneve dhe pajisjeve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Kujtojmë se ai ishte nënkryetar i Listës Serbe, dhe dha dorëheqjen nga ajo pozitë pasi njoftoi përmes avokatëve të tij, vetëm pesë ditë pas konfliktit në Banjska, se ai personalisht e kishte organizuar gjithçka.
Për shkak të rastit “Banjska”, pasaporta e tij u konfiskua fillimisht. Dhe më pas Milan Radoiçiq u bë person në listën e të kërkuarve të Interpolit.
Por kush e ruan atë?
Radoiçiq nuk lejohej të largohet nga Serbia që nga viti 2023, pasi mori përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në konfliktin e armatosur në Banjska.
Ndërkohë, mediat serbe theksojnë se ai mund të ishte larguar vetëm me një pasaportë të falsifikuar ose të dikujt tjetër.
Sipas tyre, sa i përket nëse ai e la Serbinë dhe me çfarë dokumenti udhëtimi – Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.
Për më tepër, pasaporta e tij thuhet se është në atë gjykatë, e cila e urdhëroi atë të paraqitej në polici.
Ndërsa sa i përket asaj se kush e ruan Milan Radoiçiqin – duket se nuk është sekret.
Në korrik, N1 mësoi se dy anëtarë të Xhandarmërisë po punojnë si roje private e tij, ndërsa janë të regjistruar në atë njësi sikur të ishin në pushim mjekësor.
Kujtojmë gjithashtu se Milan Radoiçiq është konsideruar si bashkëpunëtor i ngushtë i regjimit ende aktual për vite me radhë.
Gjithashtu, nuk është sekret që ai është shfaqur në tubime të Partisë Progresive Serbe.
Herën e fundit që është fotografuar ishte në Kragujevc së bashku me djalin e ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Danilo Vuçiq. Dhe kjo nuk ishte hera e parë. /Telegrafi/