“Drenica meriton shumë, ëndrra ime është ta dërgojmë në Evropë” – zëvendëspresidenti flet për objektivat në klubin kuqezi

"Drenica meriton shumë, ëndrra ime është ta dërgojmë në Evropë" - zëvendëspresidenti flet për objektivat në klubin kuqezi

Written by

in

Flamur Muleci dikur mbronte ngjyrat e Drenicës si futbollist, ndërsa sot është rikthyer në klub në një rol tjetër, atë të zëvendëspresidentit. Ish-lojtari i skuadrës nga Skenderaj ka vendosur të kontribuojë në një periudhë të vështirë për klubin, duke u bërë pjesë e përpjekjeve për stabilizimin dhe konsolidimin e tij.

Muleci, i cili prej kohësh jeton mes Gjermanisë dhe Austrisë, ku zhvillon bizneset e tij, thotë se vendimi për t’u përfshirë në Drenicë erdhi nga lidhja që ka me klubin dhe qytetin. Ai thekson se si drenicas dhe ish-futbollist i kësaj skuadre, e ka ndier si obligim të jetë pranë saj në një moment të vështirë.

Në një intervistë për Telegrafin, Muleci ka folur për gjendjen që gjeti pas ardhjes në klub, borxhet e trashëguara nga e kaluara, objektivat e skuadrës për këtë sezon dhe planet për të ardhmen. Ai ka bërë të ditur se situata është përmirësuar, por ka theksuar se puna konkrete duhet të jetë në qendër të angazhimit të drejtuesve.

“Drenicës i nevojitet punë, jo fjalë”

Muleci ka treguar se në momentin kur iu bashkua klubit kishte disa borxhe të trashëguara nga e kaluara, por sipas tij, gjendja tashmë është më e mirë. Ai ka nënvizuar se synimi është që Drenica të ndërtojë një strukturë më të qëndrueshme dhe të mos mbetet vetëm te premtimet.

“Më herët janë dhënë shumë premtime të mëdha, por në fund nuk është bërë asgjë konkrete. Jam i bindur se klubit i nevojitet punë dhe jo fjalë”, ka deklaruar Muleci për Telegrafin.

Ai ka folur edhe për rezultatet e fundit të skuadrës, duke përfshirë fitoren 4-0 ndaj Llapit, por ka theksuar se rëndësi ka që Drenica të japë maksimumin në çdo ndeshje, veçanërisht në shtëpi, ku përkrahja e tifozëve është një faktor i rëndësishëm.

Mbijetesa objektivi kryesor, Mezani pritet të japë kontributin e tij

Drenica e ka nisur një kapitull të ri edhe me trajnerin Mezanin, për të cilin Muleci ka fjalë vlerësuese. Ai e konsideron një trajner me përvojë dhe njohje të mirë të futbollit kosovar, duke përmendur edhe punën e tij të mëparshme te Gjilani.

Pas 13 ndeshjeve, Drenica ka 12 pikë dhe renditet në vendin e tetë. Në këto rrethana, Muleci ka bërë të qartë se objektivi kryesor për pjesën e mbetur të sezonit është mbijetesa në Superligë, por dëshira është që skuadra të jetë kundërshtare e vështirë për secilin rival.

“Objektivi ynë kryesor është mbijetesa në Superligë, por dëshirojmë që Drenica të jetë një kundërshtar i fortë për çdo skuadër”, ka thënë ai.

Synimi afatgjatë, ta shohë Drenicën në garat evropiane

Përtej objektivit të këtij sezoni, Muleci ka bërë të ditur se angazhimi i tij në klub është afatgjatë. Së bashku me kryetarin Halim Bajraktaraj dhe Granit Kocin, ai thotë se po punohet për krijimin e një klubi më të qëndrueshëm dhe më konkurrues.

Ai e sheh Drenicën si një klub që meriton më shumë dhe shpreson që puna e përbashkët të sjellë rezultate në vitet e ardhshme. Për të, synimi përfundimtar është që skuadra nga Skenderaj një ditë të jetë pjesë e garave evropiane.

“Ëndrra ime është që së bashku me Drenicën të bëjmë gjëra të mëdha, sepse skuadra dhe qyteti i Skenderajt e meritojnë këtë. Dëshira ime është që një ditë, së bashku me skuadrën, të arrijmë të luajmë në garat evropiane. Për këtë qëllim jemi duke punuar dhe shpresoj që, me përkushtim dhe punë të vazhdueshme, ta realizojmë këtë ëndërr”, ka përfunduar Muleci për Telegrafin./Telegrafi/