Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA) ka miratuar ilaçin e ri të kompanisë farmaceutike zvicerane Roche, Wilserdly (giredestrant), për trajtimin e pacienteve me kancer të avancuar ose metastatik të gjirit.
Medikamenti, i cili merret në formë tabletash, përdoret në kombinim me everolimus dhe është i destinuar për pacientet me kancer të gjirit ER-pozitiv dhe HER2-negativ, me mutacion të gjenit ESR1.
Sipas rezultateve të studimit klinik, kombinimi i këtyre dy barnave ka ulur për 62 për qind rrezikun e përparimit të sëmundjes ose vdekjes, krahasuar me terapinë e përdorur në grupin krahasues, shkruan Swissinfo, transmeton Telegrafi.
Roche pret që ilaçi i ri t’i sjellë kompanisë të ardhura prej 500 deri në 600 milionë dollarësh gjatë vitit 2027, ndërsa çmimi i listuar në SHBA është 22 mijë e 500 dollarë në muaj.
Miratimi në SHBA shënon një zhvillim të rëndësishëm për kompaninë me seli në Bazel, e cila synon zgjerimin e përdorimit të këtij trajtimi edhe në fazat më të hershme të kancerit të gjirit./Telegrafi/