Trump thotë se Rusia dhe Ukraina janë pajtuar për armëpushim energjetik

Trump thotë se Rusia dhe Ukraina janë pajtuar për armëpushim energjetik

Written by

in

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për një “armëpushim energjetik”, i cili sipas tij ka hyrë në fuqi menjëherë.

Në një postim në rrjetet sociale, Trumpi tha se të dyja palët janë pajtuar me marrëveshjen, por nuk dha detaje të tjera për kushtet e saj.

Rusia ende nuk ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së presidentit amerikan, ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sipas portalit amerikan Axios, ka thënë se njoftimi i Trumpit ishte “lajm për mua”.

Më herët, Trumpi i kishte bërë thirrje Ukrainës që të ndalte sulmet ndaj rafinerive të naftës në Rusi.

Deklarata vjen në mes të tensioneve mes Trumpit dhe Zelenskyt. Të dielën, presidenti ukrainas tha se Ukraina do të ishte e gatshme të ndalte sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, nëse Rusia ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Përplasjet mes dy presidentëve janë shtuar edhe pas kritikave të Zelenskyt ndaj njoftimit të Trumpit për një marrëveshje që do t’i mundësonte SHBA-së importimin e naftës dizel nga Rusia. Zelensky e cilësoi këtë si një “dhuratë” për presidentin rus, Vladimir Putin.

Në përgjigje, Trumpi deklaroi se “është koha që Ukraina të ketë një president të ri”.

Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike gjatë muajve të fundit, ndërsa lufta mes tyre po hyn në vitin e pestë, pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Deri më tani, nuk ka konfirmim të pavarur nga të dyja palët për arritjen e armëpushimit të njoftuar nga Trumpi.

 

Burimi: Dukagjini