AGK-ja kërkon nga KOHA të tërhiqet nga padia ndaj gazetares Shpresa Hasimi

AGK-ja kërkon nga KOHA të tërhiqet nga padia ndaj gazetares Shpresa Hasimi

Written by

in

AGK-ja kërkon nga KOHA të tërhiqet nga padia ndaj gazetares Shpresa Hasimi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas padisë së Grupit KOHA ndaj gazetares Shpresa Hasimi, përmes së cilës kërkohet kompensim prej 5 mijë eurosh për shkak të largimit të saj nga puna para përfundimit të një periudhe pesëvjeçare.

AGK-ja e ka cilësuar padinë si veprim të paprecedentë dhe shqetësues, duke kërkuar nga Grupi KOHA që ta tërheqë atë.

Në reagimin e saj, AGK-ja thotë se padia lidhet me një dokument të quajtur “Kontratë mbi Sponsorizimin e Trajnimeve Profesionale”, të cilin, sipas deklarimit publik të gazetares, ajo e kishte nënshkruar si kusht për punësim, pas një periudhe trajnimi dhe pune praktike pa pagesë.

Sipas AGK-së, praktika të tilla rrezikojnë të krijojnë precedent të dëmshëm për gazetarët dhe të shkaktojnë pasiguri në marrëdhëniet e punës, duke ndikuar edhe në pavarësinë e tyre profesionale.

“AGK-ja qëndron në solidaritet të plotë me gazetaren Shpresa Hasimi dhe do ta mbështesë atë me të gjitha kapacitetet e saj institucionale dhe profesionale”, thuhet në reagim.

Gazetarja Hasimi përfaqësohet nga avokati Yll Zekaj, zyrtar ligjor i AGK-së, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

AGK-ja ka theksuar se, pa paragjykuar epilogun e procesit gjyqësor dhe duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit, pret që Grupi KOHA të tërhiqet nga padia.

Ky reagim vjen pasi Hasimi bëri të ditur publikisht se është paditur nga Grupi KOHA, që po kërkon 5 mijë euro kompensim për largimin e saj nga puna para përfundimit të periudhës së përcaktuar në kontratë. /Insajderi.org/

Burimi: Insajderi