Zvicra arrin nivelin më të ulët historik të përdorimit të antibiotikëve, por rriten vdekjet nga bakteret rezistente

Zvicra arrin nivelin më të ulët historik të përdorimit të antibiotikëve, por rriten vdekjet nga bakteret rezistente

Written by

in

Zvicra ka shënuar një rënie rekord të përdorimit të antibiotikëve, duke arritur nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Megjithatë, pavarësisht këtij zhvillimi pozitiv, numri i vdekjeve të shkaktuara nga bakteret rezistente ndaj antibiotikëve është pothuajse dyfishuar që nga viti 2010.

Sipas raportimit të medias zvicerane Watson, bazuar në raportin e ri “Swiss Antibiotic Resistance Report 2026”, gjatë vitit 2025 konsumi i antibiotikëve në mjekësinë njerëzore në Zvicër ra në 9.9 doza ditore për 1.000 banorë.

Kjo përfaqëson një ulje prej afro 11 për qind krahasuar me vitin 2024 dhe është dukshëm nën objektivin e vendosur për vitin 2027.

Në krahasim me vendet e tjera evropiane, Zvicra ka një përdorim relativisht të ulët të këtyre barnave, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se ulja e konsumit nuk nënkupton automatikisht përdorim të drejtë të antibiotikëve. Zgjedhja e medikamentit dhe rastet kur ai përshkruhet kanë rëndësi të veçantë në luftën kundër rezistencës bakteriale.

Sipas raportit, numri i vdekjeve të vlerësuara nga 16 kombinime të patogjenëve shumë rezistentë është rritur nga 135 në vitin 2010 në 258 në vitin 2024.

Ndërkohë, rreth 85.9 për qind e antibiotikëve përshkruhen jashtë spitaleve, kryesisht nga mjekët familjarë. Një pjesë e konsiderueshme e recetave lidhet me infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, të cilat shpesh shkaktohen nga viruset dhe nuk trajtohen me antibiotikë.

Raporti evidenton gjithashtu dallime të mëdha mes rajoneve zvicerane. Në pjesën frankofone përshkruhen mbi 1.5 herë më shumë antibiotikë sesa në Zvicrën gjermanishtfolëse.

Kantonit të Gjenevës i takon niveli më i lartë, ndërsa Appenzell Innerrhoden regjistron konsumin më të ulët.

Të dhënat tregojnë se, megjithëse Zvicra po arrin rezultate në reduktimin e përdorimit të antibiotikëve, rezistenca ndaj tyre mbetet një sfidë serioze për sistemin shëndetësor./Telegrafi/