I kapën në gjumë pas grabitjes në Gjakovë – Policia gjen armë, ar e para, këta janë dy të arrestuarit

I kapën në gjumë pas grabitjes në Gjakovë – Policia gjen armë, ar e para, këta janë dy të arrestuarit

Written by

in

I kapën në gjumë pas grabitjes në Gjakovë – Policia gjen armë, ar e para, këta janë dy të arrestuarit

Një veturë e dyshimtë i ka çuar hetuesit policorë te personat që dyshohet se qëndrojnë pas grabitjes së 16 nëntorit në Gjakovë. Pas identifikimit të automjetit dhe lokalizimit të njërit prej të dyshuarve, Policia ka ndërhyrë në orët e hershme të mëngjesit, duke e arrestuar në dhomën e gjumit. Gjatë bastisjes janë gjetur armë, municion, ar, para dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me grabitjen, mëson Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Arbenit Ukaj, rreth 24-vjeçar, dhe Lirim Istrefaj, rreth 34-vjeçar.

Grabitja për të cilën po hetohen ka ndodhur më 16 nëntor, rreth orës 17:00, në rrugën “Izet Hima” në Gjakovë.

Pas veprimeve hetimore, Policia fillimisht ka identifikuar veturën e dyshuar dhe më pas ka arritur të identifikojë e lokalizojë njërin prej personave që dyshohet se ishte përfshirë në grabitje.

Rreth orës 06:00 të mëngjesit të 17 nëntorit, hetuesit kanë zbatuar urdhërkontrollin dhe e kanë arrestuar të dyshuarin e parë në dhomën e tij të gjumit.

Gjatë kontrollit është sekuestruar një pistoletë e tipit TT, një karikator dhe shtatë fishekë të kalibrit 7.62×25 mm.

Policia ka sekuestruar gjithashtu një shumë parash të gatshme, një sasi ari, dy telefona dhe veshmbathje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes.

Në mesin e sendeve të gjetura ishte edhe një sasi e vogël substance e dyshuar marihuanë.

Hetuesit kanë sekuestruar edhe një veturë Golf VII, me ngjyrë të bardhë, e cila dyshohet se lidhet me rastin.

Sipas burimeve të Sinjalit, gjatë veprimeve hetimore, i dyshuari i parë ka deklaruar se kishte qenë së bashku me personin e dytë të dyshuar.

Pas kësaj deklarate, Policia ka ndërmarrë veprime të tjera dhe ka kryer kontroll edhe në banesën e të dyshuarit të dytë, ku janë sekuestruar një telefon dhe veshmbathje që dyshohet se janë përdorur në rast.

Të dy personat dyshohen edhe për grabitjen e armatosur të argjendarisë “XHINTONGOLD”, të ndodhur më 5 nëntor në Gjakovë, ku dy persona të maskuar kishin kërcënuar punonjësit me armë të gjatë dhe kishin thyer dollapët me çekan për të marrë ar e para.

Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti i 16 nëntorit është iniciuar për grabitje dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.

Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali