Një ish-politikan ukrainas ka publikuar pamje shqetësuese të momentit kur një çift, që po udhëtonte me veturë në qytetin e Dnipros, u bë cak i një sulmi.
Anton Gerashchenko bëri të ditur se çifti nuk pësoi lëndime, pavarësisht goditjes që mori automjeti. Megjithatë, ai theksoi se pamjet pasqyrojnë rrezikun e vazhdueshëm me të cilin përballen qytetarët ukrainas gjatë jetës së përditshme, edhe kur ndodhen në automjetet e tyre.
“Kështu duket jeta jonë tani”, shkroi Gerashchenko krahas videos së publikuar, transmeton Telegrafi.
Në pamje shihet vetura duke lëvizur nëpër rrugët e Dnipros dhe duke marrë një kthesë djathtas. Në atë moment, qielli papritur ndriçohet me ngjyrë të kuqe, ndërsa automjeti goditet nga një shpërthim.
Goditja shkakton thyerjen e xhamit të përparmë të veturës, ndërsa pamjet dokumentojnë momentin e papritur të sulmit dhe rrezikun që iu kanos çiftit.
Sipas Gerashchenkos, të dy personat arritën të shpëtonin pa lëndime. Ai nuk dha detaje të tjera lidhur me shkakun e shpërthimit apo autorët e sulmit. /Telegrafi/