SINJALI 24 | Grabitje, dyshime për dhunim në motel, armë, drogë e mashtrime – çfarë ndodhi brenda pak orësh në Kosovë?

SINJALI 24 | Grabitje, dyshime për dhunim në motel, armë, drogë e mashtrime – çfarë ndodhi brenda pak orësh në Kosovë?

Written by

in

SINJALI 24 | Grabitje, dyshime për dhunim në motel, armë, drogë e mashtrime – çfarë ndodhi brenda pak orësh në Kosovë?

Një seri rastesh të rënda dhe të pazakonta janë regjistruar në disa qytete të Kosovës. Grabitje të armatosura në Gjakovë, armëmbajtje e posedim i narkotikëve në Prishtinë, mashtrim me vetura në Lipjan, para të dyshuara të falsifikuara në Prizren dhe një Mitsubishi që u zhduk nga parkingu, por u gjet te një agjent sigurimesh.

Gazeta Sinjali sjell detajet e rasteve që përfunduan në duart e Policisë.

Gjakovë – Dy grabitje brenda 11 ditësh, arrestohen dy të dyshuarit

Arbenit Ukaj, rreth 24-vjeçar, dhe Lirim Istrefaj, rreth 34-vjeçar, dyshohen për dy grabitje në Gjakovë, përfshirë atë të armatosur në argjendarinë “XHINTONGOLD”, ku autorët kishin kërcënuar punonjësit me armë të gjatë dhe kishin thyer dollapët me çekan.

Për grabitjen e 16 nëntorit, hetuesit kanë identifikuar një veturë Golf VII dhe gjatë bastisjeve kanë sekuestruar pistoletë TT, municion, ar, para, telefona e veshmbathje.

Të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

GRAÇANICË – E mori për kafe, por përfunduan në motel, 28-vjeçarja denoncon dhunimin

Një 28-vjeçare ka denoncuar se ishte dhunuar seksualisht nga i dashuri i saj, me të cilin ishte në lidhje vetëm prej tri javësh.

Sipas denoncimit, Armend Hajrizi, rreth 29-vjeçar, e kishte dërguar në motelin “Delphin” në Llapnasellë, pavarësisht refuzimit të saj, duke i thënë se do të bisedonin.

Gruaja ka deklaruar se ai e kishte futur me forcë në dhomë dhe kishte kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj.

Ekzaminimi mjekësor ka evidentuar shenja fizike që mbështesin dyshimin, ndërsa rasti po hetohet nga Njësia e Hetimeve Rajonale. Arrestimi i të dyshuarit nuk është konfirmuar.

PRISHTINË – 29-vjeçari kapet me armë dhe marihuanë

Ilir Kacabashi, 29-vjeçar, është arrestuar në rrugën “Rrustem Hyseni”, pasi gjatë kontrollit policor iu gjetën një armë e tipit BLOW TR-14, gjashtë fishekë dhe një gram substancë e dyshuar marihuanë.

Ai dyshohet për armëmbajtje pa autorizim dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

LIPJAN – Merr tri vetura me qira, dyshohet se i shet pa qenë pronar

Burhan Krasniqi, rreth 34-vjeçar, është arrestuar nën dyshimin për mashtrim dhe shpërdorim të pasurisë së huaj.

Ai dyshohet se kishte marrë me qira një Audi dhe dy Citroën, pa paguar rreth 4 mijë euro, ndërsa sipas denoncimit, më pas i kishte shitur të tria veturat, ndonëse nuk ishin në pronësi të tij.

Me urdhër të Prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë. Nuk dihet nëse automjetet janë gjetur apo kthyer te pronari.

PRIZREN – 3.800 euro të dyshuara të falsifikuara, deponohen nga gjashtë klientë

Plot 3.800 euro të dyshuara si të falsifikuara janë dorëzuar në Polici nga një degë e Raiffeisen Bank në Prizren. Paratë ishin deponuar nga gjashtë klientë të ndryshëm gjatë periudhës 14–29 tetor.

Kartëmonedhat janë dërguar për ekzaminim në njësinë e kriminalistikës, ndërsa rasti është iniciuar për falsifikim të parasë. Deri më tani nuk është identifikuar ndonjë person i dyshuar.

PRIZREN – Mitsubishi raportohet i vjedhur, agjenti i sigurimeve thotë se e ngatërroi me veturën e klientit

Një 52-vjeçar, agjent i sigurimeve në kompaninë “Sigal”, është identifikuar nga Policia pasi kishte marrë një Mitsubishi nga parkingu në lagjen Dardania.

Pronari e kishte denoncuar veturën si të vjedhur, por i dyshuari ka deklaruar se e kishte ngatërruar me automjetin e klientit, pasi të dyja ishin të të njëjtit model dhe ndodheshin në të njëjtin lokacion.

Vetura është gjetur në gjendje të rregullt dhe i është kthyer pronarit, ndërsa rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali