Telekomi shpenzon para të buxhetit për dy iPhone 18 Pro Max, do t’i dhurojë në Giveaway

Telekomi shpenzon para të buxhetit për dy iPhone 18 Pro Max, do t’i dhurojë në Giveaway

Written by

in

Telekomi shpenzon para të buxhetit për dy iPhone 18 Pro Max, do t’i dhurojë në Giveaway

Telekomi i Kosovës ka shpenzuar 3 mijë e 186 euro për blerjen e dy telefonave të modelit më të ri iPhone 18 Pro Max, të cilët janë paraparë të dhurohen përmes një loje shpërblyese në rrjetet sociale zyrtare të VALA-s.

Përmes një tenderi. Telekomi i Kosovës ka realizuar furnizimin me dy telefona të modelit iPhone 18 Pro Max Burgundy, me kapacitet prej 256 GB, shkruan Insajderi.

Kontrata për këtë furnizim i është dhënë kompanisë “SIA TECH L.L.C.”, ndërsa vlera e përgjithshme e saj është 3 mijë e 186 euro.

Sipas arsyetimit të dhënë në kërkesën për furnizim, telefonat nuk janë paraparë për përdorim të brendshëm të institucionit, por për t’u dhuruar në kuadër të një loje shpërblyese (Giveaway) në rrjetet sociale zyrtare të VALA-s.

Ky aktivitet është planifikuar të organizohet gjatë periudhës së Bartshmërisë së Numrave, me synimin që përmes shpërblimeve të ruhet baza ekzistuese e klientëve dhe të tërhiqen përdorues të rinj.

Në dokumentet e prokurimit thuhet se përmes kësaj loje synohet edhe rritja e numrit të ndjekësve në rrjetet sociale, zgjerimi i arritjes së audiencës dhe shtimi i angazhimit të përdoruesve, si dhe forcimi i prezencës digjitale të VALA-s gjatë kësaj periudhe.

Për dy telefonat e blerë me para të Telekomit të Kosovës është paraparë garanci prej 12 muajsh, e cila do të jetë e vlefshme nga momenti i pranimit të furnizimeve.

Pra, për realizimin e këtij aktiviteti promovues në rrjetet sociale, Telekomi i Kosovës ka ndarë mbi 3 mijë euro nga buxheti i tij për blerjen e dy pajisjeve të shtrenjta teknologjike, të cilat do t’u jepen fituesve të lojës shpërblyese.

Burimi: Insajderi