Gjykata Administrative ia refuzon kërkesën Blerim Isufajt, kërkoi pezullimin e vendimit të KPK’së për largimin nga Prokuroria Speciale

Gjykata Administrative ia refuzon kërkesën Blerim Isufajt, kërkoi pezullimin e vendimit të KPK’së për largimin nga Prokuroria Speciale

Written by

in

Gjykata Administrative ia refuzon kërkesën Blerim Isufajt, kërkoi pezullimin e vendimit të KPK’së për largimin nga Prokuroria Speciale

Gjykata Administrative ka refuzuar kërkesën e Blerim Isufajt për pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), përmes të cilit ai u largua nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Me aktvendimin e 6 nëntorit 2026, gjykata e ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa padia e Isufajt për anulimin e vendimit të KPK-së do të vazhdojë të shqyrtohet.

Isufaj e kishte paditur KPK-në më 30 tetor, pasi më 2 tetor Këshilli vendosi ta largonte nga drejtimi i Prokurorisë Speciale. Përmes padisë, ai kërkoi që të vazhdonte ushtrimin e detyrës së kryeprokurorit deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Ai kërkoi gjithashtu pezullimin e efekteve të vendimit për caktimin e Dren Pacës si ushtrues detyre, si dhe ndalimin e KPK-së për të shpallur konkurs apo për të emëruar një kryeprokuror të ri.

Në arsyetimin e kërkesës, Isufaj pretendonte se mandati i tij katërvjeçar përfundonte në dhjetor të vitit 2027. Sipas tij, emërimi i një kryeprokurori të ri me mandat të plotë do ta pamundësonte rikthimin në këtë pozitë, edhe në rast se gjykata do ta aprovonte padinë e tij.

Në anën tjetër, KPK-ja e kundërshtoi kërkesën, duke argumentuar se Isufaj nuk kishte ofruar prova për ekzistimin e një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm. Këshilli theksoi se largimi nga pozita drejtuese nuk ia kishte cenuar statusin e prokurorit.

Gjykata vlerësoi se fakti që Isufajt i kishte mbetur një periudhë e kufizuar e mandatit nuk ishte i mjaftueshëm për të dëshmuar rrezikun e një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm.

Sipas aktvendimit, ai nuk kishte paraqitur prova konkrete se KPK-ja kishte nisur procedurat për konkurs apo emërim të ri, e as se publikimi i vendimit për largimin e tij do t’i shkaktonte pasoja të pakthyeshme në reputacion.

Administrativja konstatoi gjithashtu se nuk ishin paraqitur argumente konkrete se zbatimi i vendimit do ta cenonte rëndë interesin publik. Gjykata rikujtoi se për caktimin e masës së sigurisë duhet të plotësohen njëkohësisht të dyja kushtet e parapara me ligj.

Kundër këtij aktvendimi, Isufaj ka të drejtë të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit brenda shtatë ditësh nga dita e pranimit të tij.

Burimi: Insajderi