Hansi Flick ka refuzuar mundësinë e transferimit të katër futbollistëve të njohur të Ligës Premier te Barcelona për verën e vitit 2027, pavarësisht se ata mund të jenë të disponueshëm si lojtarë të lirë.
Sipas raportimit të mediumit spanjoll El Nacional, Virgil van Dijk, Bruno Fernandes, Richarlison dhe Kaoru Mitoma u janë ofruar drejtuesve të klubit katalunas nga përfaqësuesit e tyre, duke shfrytëzuar faktin se kontratat aktuale të tyre mund të përfundojnë më 30 qershor 2027.
Megjithatë, trajneri gjerman nuk është bindur nga asnjëri prej këtyre emrave dhe ka vendosur të mos e mbështesë afrimin e tyre.
Vendimi lidhet me moshën, gjendjen fizike, formën dhe përshtatjen e tyre me projektin sportiv që ai synon të ndërtojë në Barcelonë.
Në mesin e emrave të ofruar është edhe kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk. Mbrojtësi holandez, i cili do të jetë 36 vjeç në fillim të sezonit 2027/28, nuk konsiderohet si përforcimi i duhur për repartin defensiv. Flick ka dyshime nëse ai mund t’i përmbushë kërkesat fizike të sistemit të tij të lojës.
Në të njëjtën situatë është edhe Bruno Fernandes. Mesfushori portugez i Manchester Unitedit, 32-vjeçar, ka kontratë deri në vitin 2027, me klubin anglez që ka mundësinë ta zgjasë atë edhe për një sezon.
Megjithatë, Flick nuk e sheh transferimin e tij si prioritet, pasi Barcelona tashmë ka disa alternativa në pozitën ku luan portugezi.
Në listën e futbollistëve të refuzuar është edhe sulmuesi brazilian Richarlison.
Problemet e shpeshta fizike dhe mungesa e vazhdimësisë në paraqitje kanë ndikuar në vlerësimin e tij, pasi trajneri gjerman kërkon lojtarë që mund të jenë rregullisht në dispozicion gjatë gjithë sezonit.
Ndërkohë, as japonezi Kaoru Mitoma nuk ka arritur ta bindë trajnerin e Barcelonës. Anësori i Brightonit, 29-vjeçar, ka pasur gjithashtu probleme fizike, ndërsa dyshimet për vazhdimësinë e tij në aspektin konkurrues kanë bërë që ai të mos jetë pjesë e planeve të Flickut.
Kështu, pavarësisht mundësisë për t’i transferuar pa paguar tarifë për kartonin, Barcelona nuk pritet të bëjë lëvizje për asnjërin prej katër futbollistëve të Ligës Premier. /Telegrafi/