
Spitali i Përgjithshëm në Prizren ka publikuar një njoftim zyrtar lidhur me rastin e plagosjes me armë zjarri në Suharekë, ku një person ka humbur jetën.
Sipas njoftimit, viktima, i lindur në vitin 1967, është sjellë në Emergjencën e spitalit nga ekipi i urgjencës së Suharekës, më 18 nëntor, rreth orës 12:50, pa shenja jete.
Gjatë ekzaminimit mjekësor, në trupin e tij janë konstatuar disa plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Ekipi i emergjencës, së bashku me kirurgun dhe anesteziologun kujdestar, kanë ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për reanimim.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për reanimim kardiopulmonar, ato kanë rezultuar pa sukses dhe është konstatuar vdekja e pacientit.
“Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, e cila ka vazhduar me procedurat dhe veprimet e mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkaq i dyshuari për vrasjen është lokalizuar dhe i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës.