E goditi me veturë, pastaj me shufër metalike – zbulohen detaje si Rrahman Hoti e vrau gruan në Zvicër, fëmijët kërkonin që babai të dënohej sa më gjatë

Written by

in

E goditi me veturë, pastaj me shufër metalike – zbulohen detaje si Rrahman Hoti e vrau gruan në Zvicër, fëmijët kërkonin që babai të dënohej sa më gjatë

Rrahman Hoti, i arrestuar sot nën dyshimin për vrasjen e S. Dakës, rreth 60-vjeçar, në Suharekë, ishte dënuar me 19 vjet burgim në Zvicër për vrasjen e bashkëshortes së tij, në një rast të rëndë kriminal që kishte ndodhur në vitin 2011 në St. Gallen.

Sipas raportimeve të agjencisë zvicerane të lajmeve Keystone-SDA, ngjarja kishte ndodhur më 8 nëntor 2011, kur Hoti e kishte pritur bashkëshorten pranë vendit të saj të punës.

Ai fillimisht e kishte goditur atë me veturë nga prapa, duke e përplasur me shpejtësi të madhe. Më pas, kishte marrë një shufër metalike nga bagazhi i automjetit dhe e kishte goditur disa herë me forcë në kokë, derisa gruaja kishte mbetur e vdekur në vend.

Gjatë ngjarjes, një punëtor i rrugës kishte tentuar t’i ndihmonte viktimës, por ishte kërcënuar nga Hoti me të njëjtën shufër metalike. Pas kësaj, ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes me veturë.

Megjithatë, pak kohë më vonë, ai ishte dorëzuar në polici dhe kishte pranuar se e kishte kryer vrasjen.

Rasti ishte trajtuar nga Gjykata e Qarkut në St. Gallen, e cila e kishte shpallur fajtor për vrasje dhe e kishte dënuar me 19 vjet burgim.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues e kishte cilësuar vrasjen si jashtëzakonisht brutale dhe gjakftohtë.

Sipas gjykatës, Hoti e kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes, me të cilën nuk jetonte më, dhe e kishte paralajmëruar disa herë.

Motivi, sipas vendimit, ishte zemërimi dhe hakmarrja, pasi gruaja nuk kishte pranuar të kthehej tek ai dhe kishte krijuar një lidhje të re.

Gjykata kishte vlerësuar se i dënuari nuk kishte treguar pendim dhe se kishte tentuar t’ua hidhte përgjegjësinë për ngjarjen bashkëshortes dhe partnerit të saj të ri.

Përveç dënimit me burgim, gjykata kishte vendosur që dy fëmijët e çiftit të merrnin nga 35 mijë franga zvicerane si kompensim për dhimbjen e përjetuar.

Në atë kohë, mbrojtja kishte kërkuar një dënim më të butë prej dhjetë vjetësh burgim, duke pretenduar se i akuzuari kishte qenë i rënduar emocionalisht pas muajsh konfliktesh me bashkëshorten. Megjithatë, gjykata kishte pranuar kërkesën e prokurorisë për dënimin me 19 vjet burgim.

Burimi: Insajderi