
Pas dy ngjarjeve tragjike që tronditën Gjilanin brenda pak ditësh, kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, ka njoftuar se nesër në mëngjes do të thërrasë mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
Përmes një reagimi në Facebook, Hyseni ka shprehur ngushëllime për familjet që humbën më të dashurit e tyre, ndërsa personave të lënduar u ka uruar shërim të shpejtë.
Kryetari i Gjilanit ka bërë të ditur se në këtë mbledhje do të koordinohen veprimet e menjëhershme me udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe institucionet e tjera përgjegjëse për sigurinë.
Sipas tij, qëllimi është garantimi i sigurisë publike në të gjithë territorin e komunës dhe parandalimi i ngjarjeve të ngjashme.
“Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë është prioriteti ynë kryesor institucional. Komuna e Gjilanit do të përdorë të gjitha kompetencat e saj për të bashkëpunuar me organet e sigurisë në menaxhimin dhe parandalimin e rasteve të tilla”, ka deklaruar Hyseni.
Ky reagim vjen pas dy rasteve të rënda të vrasjeve që ndodhën në Gjilan. Më 9 tetor, në Livoç, mbetën të vrarë dy persona, motër e vëlla, ndërsa më 11 tetor, një tjetër person, i lindur në vitin 1997, humbi jetën nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Pogragjë.
Për rastin e fundit, Policia ka njoftuar se i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim.
Ngjarjet e fundit kanë rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë publike në Gjilan, ndërsa mbetet të shihet se çfarë masash konkrete do të ndërmerren pas mbledhjes urgjente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post Gjilani tronditet nga tri viktima brenda tri ditësh – Alban Hyseni thërret urgjentisht Këshillin për Siguri appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali