
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka konfirmuar se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas rastit me interpretimin e një kënge nacionaliste serbe në një koncert të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel më 15 nëntor.
Siç raporton REL, në debatin e zhvilluar më 17 nëntor në Komisionin për Çështje të Jashtme dhe Evropiane të [Dhomës së Përfaqësuesve] të Belgjikës, Kos ka treguar se i ka shprehur keqardhjen Kurtit.
“Isha në kontakt edhe me kryeministrin dhe i shpreha keqardhjen që ndodhi diçka që nuk duhej të kishte ndodhur”, tha Kos.
Ajo konfirmoi se repertorin e kishte zgjedhur grupi muzikor i angazhuar për koncertin në fjalë dhe se Komisioni Evropian, si organizator i ngjarjes, nuk e kishte miratuar paraprakisht.
“Sa i përket pjesës muzikore: siç e thashë, grupit muzikor i dhamë udhëzime se çfarë donim, por nuk e miratuam secilën këngë veç e veç. Më vjen shumë keq që ndodhi kjo sepse Kosova e meriton gjithë mbështetjen tonë dhe do ta marrë gjithë mbështetjen tonë”, tha Kos.