Muhaxheri: QPS kërkoi detektor të sigurisë në hyrje dhe një njeri më të fuqishëm si roje

Muhaxheri: QPS kërkoi detektor të sigurisë në hyrje dhe një njeri më të fuqishëm si roje

Written by

in

Muhaxheri: QPS kërkoi detektor të sigurisë në hyrje dhe një njeri më të fuqishëm si roje

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka nisur sot dëshminë e tij para Komisionit Hetimor të Kuvendit të Kosovës, i cili po heton rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, e ka pyetur Muhaxherin lidhur me funksionimin e Drejtorisë për Punë Sociale dhe të Qendrës për Punë Sociale (QPS).

Gjatë dëshmisë, Muhaxheri ka folur për mungesën e veprimeve nga institucionet qendrore në lidhje me emërimet në QPS, duke thënë se Komuna ishte detyruar të ndërmerrte veprime për të realizuar këto emërime.

Më pas, marrjen në pyetje e ka vazhduar deputeti i LVV-së, Armend Baloku, i cili e ka pyetur kryetarin e Pejës për aspekte teknike të funksionimit të QPS-së, si dhe nëse kishte ndikuar në ndonjë mënyrë në përzgjedhjen e drejtoreshës së kësaj qendre.

Muhaxheri ka deklaruar se drejtoresha e re është ushtruese e detyrës dhe se në këtë pozitë kishte ardhur pas pensionimit të drejtoreshës së mëparshme.

Baloku e ka pyetur gjithashtu nëse ishte në dijeni për takimin e drejtoreshës së QPS-së me Arlinda Zekajn.

Kreu i Pejës nuk e ka përjashtuar mundësinë që një takim i tillë të ketë ndodhur, por ka thënë se nuk është në dijeni për detajet e tij.

Gjatë dëshmisë, duke folur për kërkesat e QPS-së për hapësira më të mëdha, Muhaxheri ka treguar se kjo qendër i kishte kërkuar Komunës vendosjen e një detektori të sigurisë në hyrje.

Sipas tij, kërkesa ishte bërë nga frika se në ambientet e QPS-së mund të hynin persona të armatosur.

Po ashtu, QPS kishte kërkuar edhe angazhimin e një personi më të fuqishëm fizikisht për të shërbyer si pjesëtar i sigurimit.

Burimi: Insajderi