Përgatitja e duhur e miellit të kaurdisur dhe një përbërës që tashmë gjendet në tenxhere mund t’i japin sarmës shije më të pasur, pa shtuar asgjë të re në recetë
Përgatitja e salcës së trashë me miell dhe yndyrë, e cila i shtohet sarmës në fund të zierjes, zgjat vetëm pesë minuta. Megjithatë, pikërisht këto pesë minuta mund të përcaktojnë nëse sarma do të dalë e shijshme, e lëngshme dhe me aromë të këndshme, apo me shije të hidhur dhe salcë të mbushur me kokrriza mielli.
Kur lëngu mbetet i zbehtë, mielli nuk tretet siç duhet ose ndihet një shije e pakëndshme, problemi shpesh nuk qëndron te përbërësit e sarmës, por te mënyra e përgatitjes së salcës.
Kuzhinieret me përvojë përdorin një mënyrë të thjeshtë që mund ta përmirësojë ndjeshëm rezultatin, pa pasur nevojë për përbërës shtesë.
Gabimi që bëjmë sapo shtojmë miellin në yndyrë
Nxitimi është një nga gabimet më të zakonshme gjatë përgatitjes së miellit të kaurdisur. Shpesh përdorim temperaturë të lartë, me dëshirën që gatimi të përfundojë sa më shpejt.
Në këto kushte, mielli mund të marrë ngjyrë të errët në skaje brenda gjysmë minute, ndërsa pjesa tjetër mbetet e papjekur. Si rezultat, sarma mund të marrë një shije të hidhur, të cilën as speci i kuq nuk arrin ta mbulojë.
Gabimi tjetër është përdorimi i ujit të zakonshëm për ta holluar përzierjen. Uji mund ta zbehë shijen e lëngut që lakra turshi dhe mishi kanë krijuar gjatë zierjes.
Çfarë përdorin kuzhinieret në vend të ujit?
Sarma mund të bëhet më e shijshme nëse, në vend të ujit, përdorni lëngun nga tenxherja ku po zihet.
Për përgatitjen e salcës nevojiten:
- 3 lugë gjelle yndyrë (rreth 45 g)
- 2 lugë gjelle miell (rreth 30 g)
- 1 lugë çaji spec i kuq i bluar
- rreth 300 ml lëng nga tenxherja me sarma
Ngrohni yndyrën në një tigan dhe shtoni miellin. Kaurdiseni në temperaturë shumë të ulët për katër deri në pesë minuta, duke e përzier vazhdimisht, derisa të marrë një ngjyrë të lehtë lajthie dhe të lëshojë aromë të këndshme, të ngjashme me bukën e thekur.
Më pas largojeni tiganin nga zjarri dhe shtoni një lugë çaji spec të kuq të bluar. Është e rëndësishme që speci të shtohet pasi tigani të jetë larguar nga nxehtësia, sepse digjet shumë shpejt dhe mund t’i japë salcës shije të hidhur.
Në fund, merrni dy garuzhde lëng nga tenxherja ku po zihet sarma, afërsisht 300 ml, dhe shtojini gradualisht në përzierjen e miellit, duke e trazuar shpejt.
Në këtë mënyrë përfitoni një salcë të njëtrajtshme, me ngjyrë të kuqërremtë dhe me shijen karakteristike të lakrës turshi.
Kur duhet shtuar salca në tenxhere?
Koha e shtimit është po aq e rëndësishme sa përgatitja.
Salcën hidheni mbi sarma gjatë 20 minutave të fundit të zierjes. Në këtë fazë shmangni përzierjen me lugë, sepse mund t’i shpërbëni sarmat dhe të bëni që mbushja të dalë jashtë.
Në vend të kësaj, kapeni tenxheren nga dorezat dhe tundeni lehtë disa herë, në mënyrë që salca të shpërndahet ndërmjet sarmave.
Nëse sarmën e përgatitni në furrë, shtojeni salcën përpara se ta hiqni kapakun dhe vazhdoni pjekjen në temperaturë 200 gradë Celsius edhe për 15–20 minuta, derisa shtresa e sipërme të marrë një ngjyrë të bukur të artë.
Nëse e zieni në pllakën e sobës, mbajeni temperaturën shumë të ulët, në mënyrë që lëngu të vlojë ngadalë.
Kështu, salca trashet gradualisht, përthith aromat e mishit dhe të lakrës dhe krijon një lëng të pasur, që e bën sarmën më të shijshme dhe më të këndshme për t’u shërbyer. /Telegrafi/