
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Shpresa Lukaj, ka deklaruar se rasti i Arlinda Zekajt ishte monitoruar vazhdimisht nga zyrtarët e kësaj qendre dhe se nuk kishte pasur vërejtje për neglizhencë në trajtimin e tij.
Gjatë raportimit para Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, Lukaj është pyetur nga deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, nëse kishte pasur indikacione për mungesë të monitorimit të duhur në menaxhimin e rastit.
Lukaj ka mohuar se kishte pasur neglizhencë, duke thënë se menaxherja e rastit kishte kryer monitorime të vazhdueshme.
“Nuk e mendoj që ka pasur. Ka qenë menaxherja e rastit, ka pasur monitorime të vazhdueshme. Nuk kam pasur asnjë vërejtje që ka pasur neglizhencë në trajtimin dhe menaxhimin e rastit”, është shprehur ajo.
Megjithatë, gjatë dëshmisë, Lukaj ka pranuar se QPS-ja në Pejë përballet me mungesë të stafit dhe ngarkesë të madhe pune. Ajo ka thënë se do të kërkohet shtimi i numrit të punëtorëve socialë.
E pyetur nga Kica-Xhelili nëse QPS-ja kishte bërë më herët kërkesë zyrtare për shtimin e stafit, Lukaj është përgjigjur se një kërkesë e tillë nuk ishte bërë.
“Faktikisht nuk kanë bërë kërkesë”, ka deklaruar ajo.
Lukaj ka sqaruar se ishte hapur një konkurs për pozitën e psikologes, por ai ishte anuluar pas një ankese të parashtruar nga pjesëmarrësit në konkurs.
Ajo ka bërë të ditur se QPS-ja në Pejë ka rreth shtatë zyrtarë socialë dhe se, pas të gjeturave dhe rekomandimeve të evidentuara, do t’u drejtohen sërish institucioneve për të kërkuar shtimin e stafit.
Sipas saj, në Qendrën për Punë Sociale në Pejë janë rreth 70 raste aktive të dhunës në familje.
Gjatë dëshmisë, Lukaj ka deklaruar se nuk është takuar asnjëherë personalisht me Arlinda Zekajn, ndërsa ka thënë se takimet me të i kishin zhvilluar menaxherja e rastit dhe udhëheqësi i shërbimeve sociale.
Ajo ka treguar se Arlinda Zekaj i ishte drejtuar drejtoreshës së drejtoratit, pasi e njihte atë dhe e kishte bashkëvendase.
Po ashtu, Lukaj ka bërë të ditur se përmes avokates kishin pranuar një ankesë nga Arlinda lidhur me zyrtarin që kishte marrë pjesë në rastin e raportimit të dhunës. Sipas saj, Arlinda kishte konsideruar se ndaj saj ishte bërë trajtim i njëanshëm, por QPS-ja e kishte vlerësuar ankesën si të pabazë.
“Ajo iu është drejtuar drejtoreshës së drejtoratit, për shkak se e ka njohur, e kishte bashkëvendase. Përmes avokates e kemi pasur një ankesë nga Arlinda për zyrtarin që ka marrë pjesë në rastin e raportimit të dhunës dhe ajo ka menduar se iu ka bërë trajtim i njëanshëm. E kemi pa të paarsyeshme atë ankesë, sepse ka qenë e pabazë”, ka deklaruar Lukaj.
Sa i përket raportimit të rastit në QPS, ajo ka thënë se ai ishte paraqitur për herë të parë më 10 korrik.
“Sa i përket këtij rasti, fillimisht e ka lajmëruar zyrtari që ka qenë kujdestar dhe ka qenë në polici për rastin e dhunës. Kjo ka ndodhur më 10 korrik”, ka deklaruar mes tjerash Lukaj.
Burimi: Insajderi