
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i ftuar në emisionin “DPT te Fidani”, ka komentuar dënimet e shqiptuara më 17 nëntor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për çështjen e pengimit të drejtësisë.
Miftaraj ka vlerësuar se reagimet publike, përfshirë edhe nismën ligjore që pritet të votohet nesër në Kuvend për Gjykatën Speciale, kanë ndikuar në rritjen e vëmendjes ndaj kësaj çështjeje.
Ai ka deklaruar se, pa këto reagime, dënimet mund të kishin qenë edhe më të larta.
“Po të mos ishte reagimi publik i djeshëm, do të kishim pasur dënime drakonike për vendimin ndaj Thaçit. Kam menduar se ka prova, por ne i pamë në vendimet e djeshme. Këto reagime politike e kanë bërë Gjykatën më të ndjeshme dhe mund të ndikojnë edhe në Apel”, ka deklaruar Miftaraj.
Ai ka folur edhe për mungesën e debatit publik në Kosovë lidhur me Gjykatën Speciale gjatë gjashtë viteve të fundit, duke thënë se iniciativa për komisionin dhe ligjin ka bërë që për këtë çështje të reagojnë edhe shtetet e Bashkimit Evropian.
“Nëse flasim edhe për Komisionin dhe ligjin, themi se së paku është ngritur një debat publik për Gjykatën. Kemi pasur reagime pothuajse nga të gjitha shtetet evropiane, të cilat tashmë po flasin për Gjykatën Speciale. Për gjashtë vjet nuk kanë folur. Kemi folur për gjëra të tjera, për Parlamentin, por nuk kemi folur për Gjykatën. Kjo tregon se sa seriozisht e kemi trajtuar këtë çështje”, ka thënë Miftaraj.