
Vrasja e 59-vjeçarit Sylë Daka në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, në sy të bashkëshortes dhe vajzës së tij të mitur, ka tronditur mbarë opinionin publik, ndërsa familjarët dhe të afërmit kanë nisur të shprehin dhimbjen e tyre përmes mesazheve prekëse.
Në njoftimet e shpërndara nga familjarët për këtë humbje tragjike, theksohet dhimbja e madhe për ndarjen e parakohshme nga jeta.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të Sylë Dakaj. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, mbarë farefisit dhe të gjithë familjarëve. Në këto çaste të rënda dhimbjeje, ju shpreh solidaritetin dhe ngushëllimet e mia të përzemërta. Zoti ju dhëntë forcë, durim dhe qëndresë për ta përballuar këtë humbje të madhe. Humbjet e tilla lënë plagë që fjalët nuk mund t’i shërojnë. U prehtë në paqe Sylë Dakaj dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të familjarëve.
Kujtojmë se për këtë vrasje të rëndë, Policia e Kosovës ka arrestuar menjëherë të dyshuarin Rrahman Hoti.
Sipas Prokurorisë, dyshohet se gjithçka ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje të çastit, ku i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, duke e lënë të vdekur në vend. Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimin për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali